Vazhdojnë ndryshimet kadrovike në klinika, do të punësohen edhe 30 infermierë në “8 shtatori”
Vazhdojnë ndryshimet kadrovike në klinikat e Maqedonisë.....

Vazhdojnë ndryshimet kadrovike në klinikat e Maqedonisë. Është shkarkuar tashmë drejtori ekonomik i Klinikës së stomatologjisë, ai i toksikologjisë dhe drejtori i Klinikës së oftalmologjisë.
Përveç shkarkimeve, ministri Taravari informoi edhe emërimet e drejtorëve të rinj në katër klinika. Për klinikat e tjera po analizohen rezultatet e drejtorëve aktualë, e më pas do vendoset nëse do të qëndrojnë apo do të shkarkohen.
“Në Klinikën e nefrologjisë, dr. Irena Bushletiq, në Klinikën e oftalmologjisë, dr.Bekim Tateshi, në Klinikën e toksikologjisë, dr.Niko Beqarovski, dhe në Klinikën e kardiologjisë, dr.Bekim Pocesta”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ministri Taravari ka vizituar sot Spitalin “8 shtatori”, për t’u njohur nga afër me mungesën e theksuar të kuadrit, sidomos të infermierëve. Mungesa e kuadrit rrezikon mbylljen e sallave të operacionit, ankohet drejtori i spitalit Stojçev.
“Stërngarkimi i infermiereve është problemi kryesor për mbylljen e 7 sallave të operacionit, shpresojmë që ky problem dhe kërkesë e jona e kamotshme tani do të zgjidhet. Po punojmë edhe në ndërrimin e dytë vetëm që të mos i kthejmë vazhdimisht pacientët”,- tha drejtori i Spitalit “8 Shtatori”, Sasho Stojçev.
Taravari premtoi hapjen e konkursit për punësimin e 30 infermierëve në fazën e parë dhe të 30 të tjerëve në një fazë tjetër.
“Vendosëm që me kontratë në vepër të punësojmë së paku 30 infermiere në periudhë të afërt kohore, sa të krijohen mundësitë, sepse disa reparte janë në rrezik që të mos munden të funksionojnë. Kurse në periudhën pak më të gjatë do të punësojmë edhe 30 persona tjerë, gjithsej 60. Kjo nuk do të thotë se vetëm infermiere do të punësohen, por edhe kuadër tjetër, si teknikë mjekësorë, edhe mjekë, por këtë do ta lëmë pas zgjedhjeve”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Mungesa e kuadrit të domosdoshëm në këtë klinikë ka bërë që për ndërhyrje kirurgjike pacientët të presin me muaj, e shpesh edhe me vite. Punësimet e reja pritet të zgjidhin këtë problem. (Sevdije Metaj – Zuberi, TVM2)
