Ndikimi amerikan në politikën e RM-së, analistët: Gjithnjë ShBA paraqitet si shpëtimtar

04.07.2017 15:17

Amerika feston sot Ditën e Pavarësisë....

Amerika feston sot Ditën e Pavarësisë. Në këtë ditë analistët në Maqedoni vlerësuan kontributin amerikan dhënë për Maqedoninë që në  vitin 1994 e deri në periudhën e fundit, gjatë nënshkrimit të  marrëveshjes së Përzhinës, tejkalimin e situatës më të vështirë më 27 prill në Kuvend, deri në mbështetjen për formimin e qeverisë aktuale.

“Që nga vitet e 90-ta, ku ShBA hapin zyrën e parë në Maqedoni, më vonë vjen edhe njohja si shtet i pavarur me emrin kushtetues. Pasi jemi këtu në UT, ata kanë dhënë edhe kontribut shumë të rëndësishëm në vitin 1994. Pastaj, në vitin 2001, për të arritur marrëveshjen paqësore, marrëveshjen kornizë të Ohrit, kemi edhe këtë të fundit, pra marrëveshjen e Përzhinës, respektivisht tejkalimin e situatës më të vështirë që ka pasur Maqedonia më 27 prill, me ndihmën e diplomacisë amerikane, dhe definitivisht kalimi paqësor apo transformimi i pushtet në një qeverisje të re reformatore”,- theksoi analisti, Ismet Ramadani.

“Maqedonia realisht shpëtoi nga një tragjedi e mundshme e cila lidhej me situatën jo të favorshme. Realisht kishte të bënte me një konflikt në shtet midis një lufte qytetare, pra dhe duhet të jemi falënderues që edhe një herë partnerët amerikanë, bazuar në vlerat e tyre, u paraqitën si shpëtimtarë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe rajonit në tërësi”,- tha analisti, Mersel Bilalli.

“Pikërisht ne sot, në hapësirat e UT-së, në shenjë respekti për këtë datë madhështore jemi tubuar që bashkërisht të kremtojmë dhe t’u japim mirënjohjen më të madhe shpirtërore dhe falënderues ShBA-së, që jetësuan  dhe vunë në funksion lirinë, demokracinë dhe politikën paqedashëse në hapësirat shqiptare dhe ato ballkanike”,- u shpreh analisti, Bashkim Selmani.

Këto komente Ramadani, Bilalli dhe Selmani i bënë në debatin shkencor të organizuar nga UT për nder të pavarësisë së ShBA-ve me temë “Ndikimi i politikës amerikane në demokratizimin e politikave dhe institucioneve të Republikës së Maqedonisë”. (Visar Sadiki, TVM2)