Maqedoni
Xhaferi në Ulqin: Ttë ndërtojmë ura bashkëpunimi e jo ndarje; Cungu: Të shqyrtojmë mundësitë e bashkëpunimit ekonomik
04.07.2017 16:42
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në vazhdën e vizitës së parë zyrtare në Mal të Zi, u takua me kryetarin e komunës së Ulqinit, Nazif Cungun, dhe me përfaqësuesit komunalë...

Politika duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe jo ndarje, ishte porosia e kryeparlamentarit Xaferi. Edhe pse Maqedonia dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura, nevoja për komunikim të drejtpërdrejtë është imediate.
“Ne si qytetarë kemi qenë edhe paraprakisht në Ulqin dhe Mal të Zi, mirëpo në kontekstin politik si përfaqësues institucional të R. së Maqedonisë s’do mend se duhet të jetë në vazhdën e urave të lidhshmërisë së qytetarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ura lidhëse mes popujve në rajon dhe lehtësim për politikëbërjen dhe politikanët që të mund të vlerësojnë se nevoja për komunikim të drejtpërdrejtë është imediate, për faktin që kjo është mundësia për zgjidhjen e çështjeve të hapura që kanë vendet e rajonit dhe popujt në Ballkan”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
“Duhet të falënderojmë të gjithë ata që vijnë prej Maqedonisë të kalojnë pushimet tek ne. Edhe në këto ditë numri i turistëve është shumë i madh. Shpresoj se ky bashkëpunim do të jetë edhe në lëmi të tjera, do të ketë mundësi që të bëjmë edhe investime të përbashkëta. Do të shikojmë që të lidhim edhe afaristët e Ulqinit me ata të Maqedonisë”,- u shpreh kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu.
Ai uroi për formimin e Qeverisë së re, me ç'rast konstatoi se stabiliteti i Republikës së Maqedonisë ndikon mbi stabilitetin e tërë rajonit.
SHPËTIM NUREDINI
