Testimi ekstern po zhvillohet pa pengesa teknike
Testimi ekstern nëpër të gjitha shkollat fillore dhe të mesme po zhvillohet sipas dinamikes së parashikuar, megjithatë është shoqëruar me një numër të vogël të problemeve teknike por me një numër të madh të problemeve përmbajtësore…..

Deri më 10 qershor në shkollat fillore dhe të mesme në vend, do të realizohet vlerësimi ekstern i nxënësve. Ekipi i TVM2 qëndroi në shkollën e mesme “Vllado Tasevski”, ku testimi kishte filluar në kohë, ndërsa nxënësit testoheshin në lëndët e përgjithshme dhe profesionale. Gjatë realizimit të testimit janë evidentuar disa probleme teknike, për të cilat është reaguar në kohë dhe të njëjtat janë zgjidhur.
“Ka pas probleme teknike, të cilat janë zgjidhur aty për aty. Profesorët dhe nxënësit janë përgatitur për testin, që të kenë vlerë të njëjtë notat që janë marrë gjatë vitit”, deklaroi profesori Meriton Berisha.
Ankesat e nxënësve kanë të bëjnë kryesisht me paqartësi rreth parashtrimit të pyetjeve, gabime në përkthim, pyetje që nuk janë të përfshira në materialin e mësuar. Ata thonë se disa lëndë i kanë mësuar në gjuhë maqedonase, ndërsa testimi është realizuar në gjuhën shqipe, andaj ka pasur shumë terminologji të panjohur për ta.
“Kemi mësuar në gjuhën maqedonase, tash testimi është në gjuhën shqipe, patëm pak pengesa”, u shpreh një nxënës.
“Ky test të anulohet nga Ministria, sepse notat na shënohen në dëftesë dhe ka shumë vështirësi gjatë regjistrimit në fakultet”, theksoi një nxënës tjetër.
Rezultatet nga testimi do të publikohen në etapa, ndërsa përparësi gjatë dhënies së provimit edhe gjatë marrjes së rezultateve do të kenë nxënësit e klasave të 8-ta, për shkak të regjistrimeve nëpër shkollat e mesme.
Testimit ekstern i janë nënshtruar rreth 190 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe 18 mijë mësues.( Flutura Latifi, TVM2)
