Maqedoni

Ndryshon orari i punës në Administratën Publike

04.07.2017 16:48

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që të zbatojë orar pune të ndryshëm për të gjithë të punësuarit në administratën publike

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që të zbatojë orar pune të ndryshëm për të gjithë të punësuarit në administratën publike, kurse në disa institucione të caktuara do të ketë punë me dy ndërrime. Vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori i këtij viti. 
 
Me këtë vendim, orari i punës do të fillojë në 7:30 dhe 8:30 dhe do të përfundojë më 15:30 dhe 16:30, pra 8 orë punë.
 
Me këtë vendim rregullohet edhe puna me dy ndërrime në disa institucione,si në Drejtorinë për të Hyra Publike (DHP), Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë për Administrimin me Librin Amë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Njësitë rajonale në Sektorin për punë menaxhuese-mbikëqyrëse, në Departamentin për punë me qytetarët, Ministrinë për Mbrojtje – Departamenti për mbrojtje të rajonit me qytete dhe komuna.
 
Orari i punës në këto institucione është prej 07:00 e deri më 14:30 dhe prej 14:00 e deri më 21:30, si edhe e shtuna e parë e muajit, nga ora 08:00 e deri në orën  16:00.