Gjykata i hedh poshtë kërkesat, PPS me ankesa ndaj vendimeve të Penales

04.07.2017 17:32

Prokuroria Speciale Publike pritet që t’i dorëzojë në Gjykatën e Apelit....

Prokuroria Speciale Publike pritet që t’i dorëzojë në Gjykatën e Apelit ankesat e para ndaj kërkesave të refuzuara për përcaktimin e paraburgimit të 18 personave, kundër të cilëve javën e kaluar ishin  ngritur akuza. Ankesa kundër vendimeve të Gjykatës Penale, PPS do të dorëzojë edhe në ditët në vijim, duke respektuar afatin ligjor prej tre ditësh, nga dita e sjelljes së vendimeve nga gjykata.

Pasi Gjykata e Apelit t’i pranojë ankesat, ka afat prej 48 orësh për të sjellë vendim në bazë të ankesës. Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1, i refuzoi të gjitha 18 kërkesat për paraburgim nga Katica Janeva, ndërsa plotësisht dhe pjesërisht i pranoi ato propozime ku kërkohej masa e përkujdesjes për disa të akuzuar.

Në vend të paraburgimit, Gjykata liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit, ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, Gordana Jankullovskës, Mile Janakiskit, Kiril Bozhinovskit, Martin Protugjerit, Elizabeta Kançeska Milevskës, Vlladimir Peshevskit dhe Toni Trejkovskit u shqiptoi dënim më të butë duke iu marrë pasaportën. PPS ka ngritur 17 akuza për 18 lëndë në të cilat të akuzuar janë 94 persona fizikë dhe shtatë persona juridikë për rastet në lidhje me keqpërdorimet e detyrës zyrtare, fshehjes së tatimeve, cenim të së drejtës zgjedhore dhe vepra të tjera. Paraburgim është kërkuar për 18 persona, ndërsa masa për kujdesje për 47 persona. (Sanije Duraku, TVM2)