Dëmet bujqësore nga breshri, Nikollovski: Pa dokumentacion nuk ka dëmshpërblim

04.07.2017 19:02

Bujqit që nuk e kanë kompletuar dokumentacionin e tyre...

Bujqit që nuk e kanë kompletuar dokumentacionin e tyre, ose që kanë çështje të pazgjidhura pronësore juridike, nuk do të mund të përfitojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara në arat e tyre gjatë breshrit që ra muajin e kaluar.

Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, pohon se ka probleme me dokumentacionin, por thotë se qeveria duhet të respektojë ligjet duke gjetur njëkohësisht zgjidhje për problemet e qytetarëve.

“Obligim i kësaj qeverie reformiste është që së pari të punojë në përputhje me ligjet dhe institucionet të jenë të pavarura, përgjegjëse dhe transparente dhe të jenë të përfshira në gjetjen e zgjidhjes për problemet që i kanë qytetarët”,– deklaroi Nikollovski. Ai fajësoi qeverinë e kaluar për problemet sistemore dhe paralajmëroi ndryshime ligjore për të zgjidhur problemet e bujqve me pronat.  Nikollovski thotë se qeveria e kaluar nuk ka ndarë mjete në buxhet për dëmet eventuale nga fatkeqësitë natyrore dhe premtoi ridestinim të brendshëm të mjeteve, që të plotësohet normativa ligjore për pagesën e dëmshpërblimeve.