Dimitrov shpalos prioritetet, fokusi në reformat dhe në procesin euroatlantik
Politika e jashtme e Maqedonisë kryesisht do të përqendrohet.....

Politika e jashtme e Maqedonisë kryesisht do të përqendrohet në zbatimin e reformave të brendshme, duke u bazuar në marrëveshjen e Përzhinës, ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, ndërsa në këtë drejtim rëndësi e veçantë do t’i kushtohet ecjes në rrugën eurointegruese dhe jo stagnimit, tha ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, gjatë shpalosjes së prioriteteve të dikasterit që drejton përpara anëtarëve të Komisionit për politikë të jashtme në Kuvend.
“Pozicioni ynë fillestar shihet nga sinjalet e qëllimeve tona strategjike në kontekst të integrimeve në BE dhe porosisë nga samiti i NATO-s në Varshavë. Raporti i KE-së ka dy shpjegime, mund të thuhet se ka rekomandim të kushtëzuar, por megjithatë KE thotë se është e gatshme të japë rekomandim nëse plotësohen parakushtet kryesore nga marrëveshja e Përzinës. Raporti gjithashtu definon edhe situatën me demokracinë dhe sundimin e së drejtës. Në raport me NATO-n, krahas problemit me emrin, ceken edhe sundimi i së drejtës, liria e mediave dhe implementimi i MO-së”,- deklaroi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Ish-ministri i Jashtëm dhe deputet i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Poposki, në reagimin e tij tha se Greqia mbetet pengesë kryesore për integrimin e vendit në BE dhe NATO.
“Më gëzon ajo se ministri pas vizitës së parë në Athinë vjen dhe përafrohet me vlerësimin që e kishim të gjithë më parë, se anëtarësimi ynë në BE kalon nëpërmjet Athinës”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Popovski.
Në përgjigjen e tij, Dimtirov tha se “si etni jemi të vendosur para një testi serioz historik”, duke shtuar se bëhet fjalë për përplasje kur njëra anë nuk humb asgjë nëse nuk ka një zgjidhje.
Ai ftoi opozitën që të ndihmojë në këtë proces. Deputetët e opozitës kërkuan që në një seancë të posaçme të shqyrtohet draft versioni i marrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes përpara nënshkrimit të tij. (Naim Ramadani, TVM2)
