Zgjedhja e kryetarit në Gjykatën Penale, Këshilli anulon konkursin, paralajmëron të ri
Këshilli Gjyqësor anuloi votimin e kaluar për zgjedhjen e kryetarit të ri...

Këshilli Gjyqësor anuloi votimin e kaluar për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Penale dhe vendosi shpalljen e zgjedhjeve të reja për këtë post.
Kjo do të thotë edhe shfuqizim të konkursit për zgjedhje të kryetarit të Gjykatës Penale, ku në garë janë ish-kryetari, Vlladimir Pançevski, dhe gjykatësi, Ivan Xholev. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhoski, tha se të gjitha konkurset e shpallura para janarit të këtij viti nuk janë në fuqi për shkak të vjetërsimit të tyre dhe për shkak të vlerësimit të rregullt të gjykatësve për vitin 2015 dhe 2016.
Ky proces pritet të përfundojë gjatë javës së ardhshme, e më pas të shpallet konkurs i ri. Për momentin Gjykata Penale drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Stojance Ribarev, i cili është përgjegjës për orarin e ri të gjykatësve, duke ndarë lëndët sipas ligjit të vjetër për procedurë gjyqësore, gjë që u pamundësoi gjykatësve të caktuar të vendosin për lëndët e Prokurorisë Speciale.
ORARI I RI I GJYKATËSVE, RIBAREV: NUK KA LIDHJE ME LËNDËT E PPS-SË
Gjykatësit dyshojnë se ndarja e re e lëndëve është bërë qëllimisht. Ribarev pohoi ndarjen e re të lëndëve por ka mohuar se orari i ri ka ndonjë lidhje me lëndët e PPS-së.
“Çdo lidhje e ndryshimit të orarit të punës me akuzat e ngritura nga PPS, veçanërisht nga media të caktuara, ka të bëjë me mosnjohjen e procedurës penale dhe vetëm çon në dezinformimin e opinionit”,- thuhet në reagimin e Ribarev. Sipas tij, ndryshimi i orarit është bërë në koordinim me gjykatësit, duke i marrë parasysh dëshirat e tyre.
“Në ndryshimin e orarit për punë është marrë parasysh edhe përmbajtja e ankesave të cilat janë dorëzuar në Gjykatën Supreme nga ana e gjykatësve, dhe shumica e këtyre vërejtjeve janë marrë parasysh. Në seancën e datës 03.07.2017, të gjithë gjykatësit e pranishëm dhanë mendim pozitiv për ndryshimet e propozuara në orarin e punës”,- tha Ribarev, duke shtuar se në të njëjtën seancë është formuar trup i ri punues që do të merret me lëvizjen e lëndëve nëpër gjykata e që duhet të analizojë ecurinë e zgjidhjes së këtyre lëndëve dhe ngecjet eventuale, e për këtë duhet të njoftojë kryetarin e gjykatës. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
