Ekstremizmi islamik në Britaninë e Madhe, Arabia saudite në krye të listës së mbështetësve
Arabia Saudite ishte flamurtarja e përpjekjeve për diskreditimin e Katarit si vend që mbështet terrorizmin...

Arabia Saudite ishte flamurtarja e përpjekjeve për diskreditimin e Katarit si vend që mbështet terrorizmin, por një raport i “Henry Jackson Society” e akuzon vet Mbretërinë e Gjirit si promovuesen kryesore të huaj të ekstremizmit islamik në Britaninë e Madhe.
“Think tank” flet për një lidhje “të pastër e në rritje” mes organizatave islamike të financuara nga përtej detit, predikuesve të urrejtjes dhe grupeve xhihadiste nxitëse të dhunës.
Raporti del në një kohë kur Britania është nën presion të publikojë një raport mbi grupet islamike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë, në krye të listës së mbështetësve të terrorizmit, “Henry Jackson Society” vendos Arabinë Saudite, aleaten më të ngushtë të Britanisë në Lindjen e Mesme dhe partneren e saj më të madhe tregtare. Ambasada saudite reagoi menjëherë, duke i cilësuar si kategorikisht të rreme pretendimet e “Think Tank”.
Më herët, Gjermania e pranoi se numri i militantëve potencialë islamikë është rritur dhe se vendi duhet të përgatitet për mundësinë e sulmeve të ardhshme terroriste. Raporti i Agjencisë gjermane të Inteligjencës për vitin e kaluar tregon se, në Gjermani ndodhen rreth 24.400 islamikë, 9.700 prej të cilëve janë salafistë. Dokumenti tregon se, qindra “xhihadistë” kanë hyrë në këtë vend, në mesin e rreth një milion emigrantëve që vërshuan në Gjermani gjatë dy viteve të fundit.
Zyrtarët e sigurisë janë të vëmendshëm sidomos kundrejt 680 personave që përbëjnë potencial për kërcënime islamike. Berlini i ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të luftuar militantët islamikë, me një numër rekord arrestimesh, ndjekjesh penale dhe dëbimesh. (Arlinda Baftiu, TVM2)
