BDI gati për kongresin, priten ndryshime
Bashkimi Demokratik për Integrim nesër do të mbajë kongresin e tretë zgjedhor të radhës. 675 delegatët do të zgjedhin kryetarin e partisë dhe Këshillin e Përgjithshëm partiak, i cili numëron 75 anëtarë……..

Bashkimi Demokratik për Integrim nesër do të mbajë kongresin e tretë zgjedhor të radhës. 675 delegatët do të zgjedhin kryetarin e partisë dhe Këshillin e Përgjithshëm partiak, i cili numëron 75 anëtarë.
Jozyrtarisht merret vesh se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë mbarëvajtjes së kongresit do të propozojë pakon me 75 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, për të shmangur fërkimet e brendshme partiake.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është i pakonkurrencë për pozicionin e liderit, ndërsa risitë që pritet t’i sjellë ky kongres, do të jetë ndryshimi i Kryesisë Qendrore nga 21 anëtarë në 33 anëtarë. Kongresi do të sjellë edhe figura të reja. Kongresi i tretë i BDI-së është i karakterit zgjedhor dhe që korrespondon me datën e themelimit të këtij subjekti, nuk do të marrin pjesë përfaqësues të partive tjera politike dhe nga korri diplomatik, thotë sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.
“Ky është kongres zgjedhor dhe përkon me datën e themelimit të BDI-së, pra 4 qershorin. Nuk ka të ftuar përfaqësues nga partitë tjera nga vendi dhe nga jashtë. Nuk ka të ftuar as përfaqësues nga korri diplomatik, sepse është kongres zgjedhor, kurse pas disa muajve do të kemi edhe kongresin e katërt, i cili do të jetë tematik dhe do të diskutohet edhe për temat edhe për strategjitë edhe orientimet e BDI-së dhe të shqiptarëve dhe Shtetit në përgjithësi”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.
Sipas zyrtarëve të BDI-së, ky ndryshim ndodh për faktin se BDI në çdo cikël zgjedhor po rrit anëtarësinë e saj si në trupin votues ashtu edhe në strukturën partiake të niveleve më të ulëta. Lobimet më të shumta bëhen për pozicionin e sekretarit të përgjithshëm partiak dhe 4 nënkryetarët, funksione këto që caktohen pas kongresit dhe nga vetë lideri i partisë.
Megjithatë, nga kjo parti thonë se pas kongresit BDI do të dalë më e fortë dhe më e unifikuar, duke shtuar se nuk ka përçarje, por konkurrencë të kuadrove duke filluar nga nivelet e nëndegëve, degëve, si dhe anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. (Afrim Tanallari, TVM2)
