Ligjvënësit vendosën: Hanoi nuk do jetë më kryeqyteti i motorëve
Ligjvënësit në Hanoi, kryeqytet i Vietnamit, kanë miratuar një propozim....

Ligjvënësit në Hanoi, kryeqytet i Vietnamit, kanë miratuar një propozim për të hequr nga qarkullimi në rrugët qendrore të qytetit mënyrën popullore të transportit, motorët.
Vendimi do të realizohet deri në vitin 2030 për të zvogëluar trafikun dhe ndotjen, i cili shkaktohet kryesisht nga më shumë se 5 milion motoçikleta që qarkullojnë në rrugët e qytetit në fjalë.
Vendimi për të ndaluar skuterat nga zonat në qendër të qytetit dhe t’i zëvendësojë ato me transport të përshtatshëm publik, është marrë me shumicë dërrmuese votash në takimin e Këshillit Popullor të martën në Hanoi. Nga 96 anëtarë, kanë votuar pro 95. Duke paralajmëruar se numri i automjeteve po rritet me një “nivel alarmant”, ligjvënësit janë gjithashtu të gatshëm të kufizojnë makinat në disa rrethe gjatë orëve të caktuara, si dhe të vendosin tarifa më të larta parkimi.
Hanoi, me një popullsi prej më shumë se 7.5 milionë banorë, ka rreth 5 milionë motoçiklistë dhe gjysmë milion përdorues të makinave në rrugët e tij. Automjetet, numri i të cilëve “u rrit shumë shpejt në vitet e fundit”, thuhet se kontribuon me 70 për qind të ndotjes së ajrit të qytetit.
