VMRO kërkon heqjen e taksës radio-difuzive, Zaevi: Do të hiqet në shtator ose tetor

05.07.2017 15:14

Kuvendi refuzoi propozimin e opozitës për ndryshimet në procedurë....

Kuvendi refuzoi propozimin e opozitës për ndryshimet në procedurë të përshpejtuar në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele, të cilat VMRO-DPMNE i kërkoi me qëllim që menjëherë të shfuqizohet taksa radio-difuzive.

Arsyet për këto ndryshime, sipas deputetëve  të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovskit dhe Ilija Dimovskit, janë që të planifikohet me kohë rebalanci i buxhetit si dhe të zbatohen reformat  në RTVM.

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ky premtim është bërë në muajin mars, tani jemi në muajin korrik dhe ende qytetarët paguajnë taksën radio-difuzive.

“Sheqerinska më 30 mars tha se nëse kemi Qeveri të re qytetarët do të lirohen nga pagesa e taksës radio-difuzive. 30 marsi ka kaluar moti kohë, tani jemi në korrik, kemi Qeveri të re dhe konsiderojmë se është koha që kjo çështje urgjente që u potencua më 30 mars të jetë prioritet për shfuqizimin e taksës radio-difuzive”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Kryeministri, Zoran Zaev, tha se taksa radio-difuzive do të shfuqizohet së shpejti, ndoshta që në fillim të shtatorit ose tetorit.

“Qëllimi ynë është që në fillim të shtatorit ose tetorit të shfuqizohet taksa radio-difuzive dhe obligimi yni është të gjinden të holla, të garantohet pavarësia financiare e RTVM-së”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Zaevi shpreson se me ribalancin e buxhetit do të zgjidhet edhe çështja e shfuqizimit të taksës radio-difuzive. (Flutura Latifi, TVM2)