Çdo i dyti i ri dëshiron të braktisë vendin, Ademi: Duhet strategji e qartë për kthimin e tyre

05.07.2017 15:52

Të rinjtë gjithnjë e më shumë e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit....

Të rinjtë gjithnjë e më shumë e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Maqedonia vazhdon të përballet me shpërnguljen masive të të rinjve dhe institucionet urgjentisht duhet të marrin masa konkrete për kthimin e tyre në vendlindje. Ky është konstatimi i hulumtimit të   Organizatës Joqeveritare “Civika Mobilitas”. Sipas këtij hulumtimi, të rinjtë dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në shtete evropiane ku i paguhet dhe vlerësohet mundi dhe përkushtimi i tyre edhe pse në të shumtën e rasteve nuk punojnë në profesionin e tyre.

“Sipas hulumtimit që kemi bërë, çdo i dyti person dëshiron ta braktis Maqedoninë. Kjo dukuri është shumë e përhapur në pjesën jugperëndimore të vendit, siç janë Manastiri, Ohri, Prilepi, Krusheva dhe Kërçova. Mund të themi lirisht se pothuajse kjo zonë është tërësisht e boshatisur dhe nuk ka të rinj”,- deklaroi Metodija Stojçevski nga OJQ “Civika Mobilitas”.

Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se në këtë periudhë duhet bërë regjistrimi  i personave të shpërngulur jashtë vendit dhe në bazë të asaj të përpilohet strategji nacionale për kthimin dhe punësimin e tyre në vendlindje.

“Ne jemi të vetëdijshëm se migracioni shumë vështirë po ndërpritet, por ajo që është me shumë rëndësi është që të kemi një strategji të qartë për të shfrytëzuar kapacitetet dhe aftësitë e personave tanë të shpërngulur jashtë vendit për zhvillim më të mirë të vendit”,- tha ministri përgjegjës për diasporën, Edmond Ademi.

Hulumtimi i Organizatës Joqeveritare “Civika Mobilitas” është realizuar në 1.100 të rinj në moshën prej 18 deri më 30 vjeç.  (Rexhep Qamili, TVM2)