Maqedoni

KShZ miratoi rregulloren e re, janë përfshirë edhe disa nga vërejtjet e OSBE-së

05.07.2017 16:24

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi rregulloren e re të punës së këtij organi shtetëror...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi rregulloren e re të punës së këtij organi shtetëror, i cili do të ndikojë në efikasitetin e punës dhe njëherit do të përfshijë disa nga vërejtjet e OSBE-së dhe të Komisionit Evropian.
 
Anëtarët e KShZ-së njëkohësisht miratuan edhe udhëzimin  për shqyrtimin e ankesave gjatë zgjedhjeve, dokument i cili i mundëson KShZ-së të mënjanojë çdo ndikim politik apo ndonjë skenar të jashtëm në punë dhe vendimmarrjen e KShZ-së.
 
“Në këtë rregullore janë rregulluar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më zhvillimin dhe punën e KShZ-së, mes të cilave konvokimi i mbledhjeve, obligimet dhe të drejtat e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të KShZ-së. Duhet theksuar se në këtë rregullore janë përfshirë edhe disa vërejtje nga OSBE dhe disa nga sugjerimet e ekspertit që ka punuar këtu në KShZ”,- tha nënkryetari i KShZ-së, Rexhep Prekopuca.
 
KShZ gjithashtu miratoi vendimin për shpërndarjen e mjeteve financiare të partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Koalicioni VMRO-DPMNE me  partitë e tjera merr 6 milion e 800 mijë denarë, Koalicioni i udhëhequr nga LSDM 6 milion e 554 mijë denarë, BDI 1 milion e 277 mijë denarë, Lëvizja Besa 868 mijë denarë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët 526 mijë denarë, si dhe PDSh 455 mijë denarë.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU