Maqedoni
Probleme në Bogovinë, 500 punonjës pa rroga
05.07.2017 16:38
Këshilli komunal i Bogovinës as sot nuk e siguroi kuorumin e nevojshëm për të zgjedhur ushtruesin e detyrës për kryetar të komunës....

Opozita bllokoi sërish mbledhjen dhe kreu i Këshillit Komunal, Safet Imeri, kërkon zgjidhje pasi mbi 500 të punësuar në këtë komunë aktualisht janë pa rroga.
“Ne sot ju bëmë thirrje tre orë para seancës, 8 këshilltarë ishin prezentë, do me thënë nuk mund të formojmë shumicë prej 10 këshilltarëve... 500 qytetarë janë pa rroga, pa sigurim, pa të gjitha gjërat e nevojshme për jetë. Më vjen keq që opozita e ka bojkotuar këtë, me siguri ata e bëjnë për politikë, por me qytetarët nuk behet politikë, pasi gati dy muaj janë pa rroga”,- deklaroi kryetari i Këshillit Komunal, Bogovinë Safet Imeri.
Por, koordinatori i grupit të këshilltarëve opozitarë, Bujar Misini, thotë se për mbledhjen janë njoftuar vetëm dy orë para mbajtjes.
“Nëpërmes komunës jemi njoftuar dy orë para seancës dhe ishte e pamundur që ne si këshilltarë të marrim pjesë. Kryesuesi i këshillit e ka të qartë se nuk ka shumicë në Këshillin e Bogovinës, shumicë ka opozita”,- tha koordinatori i këshilltarëve opozitarë, Bogovinë Bujar Misini.
Nga Inspektorati i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale po ndërmjetësojnë që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë dhe të zgjidhet më në fund ushtruesi i detyrës.
“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale është shpirtërisht e interesuar që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje e pozitës së kryetarit të komunës, gjegjësisht ushtruesit të detyrës. Ne do të insistojmë që para afatit të dhënë nga qeveria, që është 30 ditë që kjo procedurë të përfundojë para atij afati”,- theksoi inspektori në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Rahim Musliu.
Të punësuarit në arsim, komunë dhe ndërmarrjet tjera komunale nesër kanë paralajmëruar protesta para komunës së Bogovinës. Komuna e Bogovinës ka mbetur pa kryetar komune që nga data 6 maj për shkak të vrasjes së kryetarit të komunës, Hazbi Idrizit.
VISAR SADIKI
