Botë

Plani aksional “3-6-9”, Zaev: Në tetor rezultatet e para, vitin tjetër ftesë nga BE; Osmani: Plani aksional “3-6-9”, sfidë kombëtare

05.07.2017 17:10

Qeveria brenda një afati të caktuar kohor do të zbatojë reformat të cilat duhet të përshpejtojnë rrugën euroatlantike të vendit...

Plani aksional mban emrin “3-6-9” dhe shënon masat të cilat qeveria parashikon t’i realizojë gjatë 3, 6 dhe 9 muajve të ardhshëm. Deri në zgjedhjet lokale të caktuara për në tetor të këtij viti, qeveria planifikon të dorëzojë rezultatet e para, deri në dhjetor të hiqet rekomandimi i kushtëzuar, ndërsa deri në pranverë të vitit të ardhshëm vendi të marrë edhe datë për fillim të negociatave, tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Paralajmërojmë parlament demokratik, reforma në gjyqësi, media, luftë kundër korrupsionit, reforma në administratën publike, në organet e sigurisë, kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-së, kohabitacion me presidentin e shtetit... Qeveria do të bashkëpunojë edhe me shoqërinë civile. Kemi qëllim që dialogu me shoqërinë civile të jetë në kontinuitet, transparent dhe inkluziv".- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, i shpjegoi masat dhe aktivitetet e përmbajtura në plan dhe tha se Qeveria duhet t'i realizojë, për shkak se, siç tha, paraqesin sfidë kombëtare. 
 
“Në afat të shkurtë kohor masat do të fokusohen në mbështetjen e KShZ-së për konsolidimin e saj të brendshëm dhe përforcimin e kapaciteteve të tyre në kontest të organizimit të zgjedhjeve lokale. Në afat të shkurtë qeveria do të bëjë rishqyrtim të propozimit të strategjisë për reformimin e sistemit gjyqësor dhe do të fillojë të krijojë ambient të në gjyqësori të lirë pa presion politik. Në fushën e MO-së në drejtim të avancimit të implementimit të elementeve legjislative nga marrëveshja kornizë qeveria do të përgatisë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili më pas do të dorëzohet në parlament, por më pas edhe në Komisionin e Venecias për konsultime”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Në fushën e mediave një pjesë e aktiviteteve parashikon vendim për ndalimin e reklamave qeveritare deri te transmetuesit komercialë radio-difuziv. Gjithashtu premtohet kompletimi kadrovik i zyrës së Avokatit të Popullit, mbështetje për Prokurorinë Speciale, kthim të ambientit demokratik dhe dialog politik në Kuvend.
 
NAIM RAMADANI