SHQIPËRIA

Fyle: Rekomandojmë statusin

04.06.2014 19:06

Komisioni Europian rekomandon dhënien e statusit kandidat per Shqiperine. Lajmin e mirë e ka sjellë sot ne Tiranë vetë eurokomisioneri për zgjerim Stefan Fyle…..

Shqipërisë i rekomandohet dhënia e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian. Këtë lajm të shumëpritur e ka dhënë sot në Tiranë komisionari për Zgjerim, Stefan Fyle, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se statusi do të jepet pa kushte. 

Ndërsa kryeministri Edi Rama, e ka cilësuar këtë rekomandim si fryt i reformave të përmbushura nga Qeveria, por pa lënë mënjanë edhe kontributin e qeverisë Berisha dhe në veçanti të ish-ministres së integrimit, Majlinda Bregu.

Vetë ish-ministrja Bregu, si një kontribuuese në bisedimet për statusin, shprehu kënaqësinë për vlerësimin e 8 viteve punë nga qeveria Berisha dhe gjithashtu deklaroi se do të ishte mirë që statusi të jepej brenda këtij muaji.

Lajmi i mirë për rekomandimin e statusit të vendit kandidat nga Komisioni Evropian, erdhi pas prezantimit të progres-raportit ditën e sotme në hotelin “Sheraton”, ku u vlerësua lufta kundër korrupsionit dhe pas dy refuzimeve të statusit nga ky Komision. Tanimë fjalën e fundit do ta japë Këshilli i Ministrave të BE në fund të muajit qershor të këtij viti. (Luljeta Ndoka, TVM2)