Botë
Erdogan kërcënon Gjermaninë: Po kryeni vetëvrasje!
06.07.2017 10:00
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar Berlinin se “po kryen vetëvrasje” duke mos e lejuar të mbajë miting për turqit që jetojnë në Gjermani gjatë samitit të G20-ës...

“Gjermania duhet ta rregullojë këtë gabim. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin”, tha Erdogan për gazetën gjermane “Die Welt”, në një intervistë ekskluzive.
Lideri turk tha se personalisht nuk kishte probleme me kancelarin gjermane Angela Merkel dhe se do ta takonte gjatë samitit të G20-ës në datat 7-8 korrik.
Por, ai tha se i kishte kërkuar Merkelit t’i dorëzojnë (mbështetësit e Gylenit). “Pse nuk na i kthejnë?”, pyeti ai.
Erdogan po ashtu tha se do vazhdojë ta shikojë Gjermaninë si parajsë për terroristët derisa të dorëzojë mbështetësit e Fetullah Gylenit, klerikut të akuzuar për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi.
Javën e kaluar Ankaraja kërkoi zyrtarisht leje që Erdogani t’u drejtohej me një fjalim qytetarëve turq që jetojnë në Gjermani, por ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel e ka këshilluar Presidentin të mos mbajë fjalime publike në një kohë që marrëdhëniet Turqi-Gjermani janë në një situatë konfliktuale.
Gjermania po ashtu tha se nuk kishte forca të mjaftueshme policie të siguronte mitingun e Erdoganit në kohën e samitit të G20-ës, diçka që u cilësua “justifikim” nga Turqia.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm vitin e fundit, duke nisur me njohjen e gjenocidit ndaj armenëve nga ana e Bundestagut, me krizën e moslejimit të ministrave turq të mbanin mitingje në Gjermani para referendumit në Turqi, moskthimin e mbështetësve të Gylenit dhe tani sëfundmi me moslejimin e deputetëve të Bundestagut të vizitojnë ushtarët gjermanë në bazën ajrore të Incirlikut, çka bëri që Gjermania të kërcënojë me tërheqje të trupave të saj nga Turqia./tvklan.al
