Maqedoni
Strugë, sërish zjarr në deponi, revoltohen qytetarët
06.07.2017 13:09
Deponisë në Strugë sërish i është vënë zjarri mbrëmë...

Qytetarët e revoltuar lanë mbrëmë mbeturinat e tyre para komunës në shenjë revolte, duke kërkuar marrjen e masave urgjente për tejkalimin e këtij problemi që jo vetëm po dëmton shëndetin e qytetarëve, por po krijon probleme edhe për turizmin në këtë sezon të nxehtë.
Lëvizja qytetare “Mjaft” thotë se nëse autoritetet nuk respektojnë kërkesën e tyre për dislokimin e deponisë, qytetarët do të bllokojnë rrugët magjistrale, madje edhe vendkalimin e Qafë Thanës.
“Harxhuam 100 mijë euro për ta shuar deponinë, por askush nuk mendon për dislokimin e saj. Komuna e Strugës sërish i hedh mbeturinat në vendin e njëjtë. Ne i paralajmëruam se nëse e bëjnë prapë të njëjtën, do t’ua sjellim mbeturinat para ndërtesës së komunës”,- deklaroi Gligorie Qatoski nga Lëvizja Qytetare “Mjaft”.
Për momentin askush nuk kujdeset për të ruajtur deponinë dhe për të parandaluar vënien e zjarrit. Sipas Lëvizjes “Mjaft”, deponia është joligjore dhe nuk përmbush asnjë standard. Ata thonë se nëse mbetet në të njëjtin lokacion, edhe nëse konservohet deponia sërish do të ndotë Strugën dhe rrethinën.
BESIM ABDULLAI
