Maqedoni

Nakov dhe Davidoviq, kandidatë potencialë për kryeprokuror publik, Kadriu: Kryeprokurori i ri publik, personalitet jopolitik

06.07.2017 15:07

Juristë, ekspertë, prokurorë dhe njerëz me profesione e pozita të ndryshme kanë përgatitur dokumentet për të kandiduar për postin e prokurorit të përgjithshëm...

Një prej kandidatëve potencialë është ish-prokurori publik, gjykatësi Aleksandar Nakov, që ka konfirmuar tashmë për Makfaks ambiciet e tij për të marrë pjesë në garën për zgjedhje të prokurorit republikan. Një tjetër kandidat për këtë post është avokati Zvonko Davidoviq.
 
“Unë do të konkurroj, por a do të zgjidhem në këtë post apo jo ua lë të tjerëve të vendosin. Njërit prej tyre që para kohe iu ndërpre mandati, për shkak se ishte i dëgjueshëm ndaj pushtetit dhe vetë e solli veten në këtë situatë...”,- tha kandidati për postin e kryeprokurorit publik, Aleksandar Nakov.
 
Nakov thotë se e respekton PPS-në, por mendon se në të ardhmen nuk ka nevojë për prokurori paralele vetëm pse dikush prej prokurorëve nuk e kryen si duhet detyrën e tij. Ekspertët ndërkohë vlerësojnë se prokurori i ri duhet të jetë personalitet jopolitik, profesionist dhe i respektuar në opinion për të kthyer besimin në gjyqësor. 
 
Eksperti juridik, Osman Kadriu, thotë se prokurorët e deritanishëm më tepër janë kujdesur të plotësojnë dëshirat e partive në pushtet, e kjo nuk guxon të ndodhë më.
 
“Prokurori i radhës duhet të jetë personalitet jashtë politikës, assesi nuk duhet të jetë faktor politik në përcaktimin e kushteve partiake,t’i plotësojë kushtet që parashikon kushtetuta dhe ligji”,- theksoi eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Sa i përket PPS-së, Osmani thotë se në të ardhmen nuk duhet të kemi paralelizëm mes prokurorive. Në rastet e ndjeshme për shqiptarët, Osmani thotë se duhet kë kyçet Prokuroria Themelore.
 
“Me skadimin e mandatit të saj mendoj se duhet të vazhdojë vetëm Prokuroria Shtetërore dhe ajo çfarë është më e rëndësishme Prokuroria Shtetërore duhet të kyçet në proceset ku nuk ka përfunduar procesi gjyqësor dhe të cilat mendohet se janë raste të montuara, si rasti i “Sopotit”, “Monstra”, rasti “Kumanova” edhe shumë procese tjera”,- theksoi eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Prokurori i deritanishëm, Marko Zvrlevski, është kritikuar për ndërhyrje në pavarësinë e gjykatave dhe ishte pjesë e bisedave të përgjuara telefonike. Kuvendi aktualisht vazhdon debatin për shkarkimin e tij.
 
FLUTURA LATIFI