Maqedoni

Specialja konfirmon: Pranuam dosjen për rastin “Sopoti”

06.07.2017 15:24

Prokuroria Speciale edhe zyrtarisht ka pranuar dosjen për rastin “Sopoti”, një ndër rastet me rëndësi të veçantë për popullatën shqiptare dhe për vetë sistemin e drejtësisë në vend...

Me vite dihet se aktgjykimet për këta persona janë të padrejta dhe ka nevojë për hetime të reja, kjo u vërtetua edhe në bisedat e përgjuara që publikoi opozita. Por, vetëm pas 8 muajve kërkesa,  Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e pa të arsyeshme t’ia dorëzojë lëndën PPS-së.  
 
“Lënda “Sopoti” është pranuar nga Prokuroria Speciale Publike. Ditëve në vijim lënda do të shqyrtohet dhe në pajtim me ligjin, në afat prej tetë ditëve, do të miratojmë vendim nëse lënda është në kompetencën tonë”-thonë nga Prokuroria Publike Speciale. 
 
PPS ndërkohë dorëzoi edhe 5 ankesat e fundit kundër vendimeve të Këshillit Penal, i cili refuzoi kërkesat e Janevës për paraburgimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe funksionarëve tjerë të VMRO-DPMNE-së. Me 5 të fundit, numri i ankesave në Gjykatën e Apelit ka shkuar në 30. Por, ajo njofton se deri në këto momente nuk ka pranuar asnjë ankesë. 
 
“Nuk ka arritur asnjë ankesë nga Prokuroria Publike Speciale. Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë ankesat në afatin ligjor prej 48 orëve, nga momenti kur do të pranohen”,- njoftojnë nga Gjykata e Apelit. 
 
Gjykata Supreme, nga ana tjetër, njoftoi se nuk mund të vendosë për kërkesën e PPS-së për mbrojtje të ligjshmërisë rreth lëndës “Talir”, pasi që kërkesa e PPS-së nuk është e plotë. Gjykata kërkon urgjentisht nga PPS-ja që të kompletojë dokumentacionin.
 
Nga ekipi i Katica Janevës konfirmuan se kanë pranuar kërkesën e Gjykatës Supreme dhe sa më parë do t’i kërkojnë vendimet e Gjykatës Penale për refuzimin e kërkesës për ngrirje të pronave të VMRO-DPMNE-së. Kryeprokurorja Janeva nuk ka ngritur akuzë për lëndën “Talir”, por paralajmëroi se do të vazhdojnë hetimet rreth financimit të paligjshëm të partisë së Gruevskit. 
 
SANIJE DURAKU