Botë

Fushata për kreun e PD-së, Basha e Selami nisin zyrtarisht fushatën

06.07.2017 15:42

Kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduard Selami, kanë nisur zyrtarisht fushatën elektorale...

Ndalesën e parë Basha e ka bërë në Kavaj, qyteti ku të vetmen fitore që arriti partia e tij në 25 qershor ishte fitorja e Bashkisë. Basha përsëriti akuzat se  mazhoranca e sotme doli nga blerja e votës dhe përfshirja e shtetit dhe e bandave në zgjedhje, ndërsa foli për marrjen e përgjegjësive nga ana e tij.
 
“Është ora për të marrë të gjithë përgjegjësitë e mia për të gjithë vendimmarrjen, për të gjykuar bashkë me ju, a bëmë gjithçka që mundëm? A qëndruam apo jo fuqishëm në kauzat që besonim, në kauzat e drejta të shqiptarëve; me dekriminalizimin, me luftën kundër drogës, me luftën për një drejtësi të pakapur e të panënshtruar politikisht dhe me luftën për zgjedhje të lira e të ndershme? Dhe nëse po, le të mos e konsiderojmë këtë fundin e një beteje, por njësoj si në vitin 1991 ta konsiderojmë stacionin drejt betejës tjetër, betejës përfundimtare për të rrëzuar një herë e mirë këtë regjim”,- deklaroi kandidati për kryetar të PD-së, Lulzim Basha.
 
Gara brenda Partisë Demokratike sjell risi, pasi për herë të parë në Shqipëri do të kemi mundësinë të shohim debat mes dy rivalëve për platformat që përfaqësojnë. Ndërkohë, në selinë e kryeministrisë heshtja disaditore është thyer vetëm nga një vizitë e ambasadorit amerikan në zyrën e Ramës, ku është biseduar për zbatimin e reformës në drejtësi.
 
LULJETA NDOKA