Avokati i Popullit: Obstruksionet kanë rrënuar institucionin tonë
Avokati i Popullit është ura lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve....

Avokati i Popullit është ura lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve. Por, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, ankohet për presione të shtuara viteve të fundit, që i kanë pamundësuar të kryejë detyrën e tij, sipas ligjit. Në një tribunë në Tetovë, në organizim të OJQ “Infoqendra” dhe Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Memeti tha se me gjithë obstruksionet, zyra që drejton ka dhënë maksimumin për të ndihmuar qytetarët.
“Për hir të asaj që ka pasur shumë trysni nga pushteti, duke ia ndalë financat, duke mos ia dhënë punësimin dhe thjeshtë atë institucion e kanë rrënuar. Pa marrë parasysh trysnitë nga pushteti në aspekt të mosdhënieve të mjeteve, në aspekt të mosdhënieve të resurseve, ne jemi munduar t’i ndihmojmë qytetarët”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
MEMETI: TË DEPOLITIZOHEN INSTITUCIONET
Gjithsesi, Memeti është i kënaqur se qytetarët e dinë se kanë një institucion që mund t’i ndihmojë, por për këtë sigurisht që zyrës së avokatit të popullit i duhen mjete financiare. Gjithashtu Memeti kërkon largimin e ndikimit politik nga institucionet.
“Ne arrijmë t’iu ndihmojmë qytetarëve, një numër të caktuar për të drejtat individuale dhe të sanohen, mirëpo hasim shumë vështirësi në organet, për shkak se ata janë tepër të politizuara dhe nuk i përfillin rekomandimet e Avokatit të Popullit”,- tha avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Në seancën plenare do të diskutohet së shpejti raporti i Avokatit të Popullit, dhe Memeti pret miratimin e rreth 78 rekomandimeve. Pas ndryshimit të ligjit, Memeti beson se institucionet që nuk respektojnë vendimet e Avokatit të Popullit do të sanksionohen. Por, pa depolitizim të institucioneve, Memeti thotë se vështirë se mund të vijë deri në sundimin e ligjit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
