Maqedoni
Zhbogar: Plani “3-6-9”, dëshmi për përkushtim në reforma
06.07.2017 16:25
Euroambasadori Zhbogar vlerëson se qeveria e re ka krijuar një atmosferë të re dhe Bashkimi Europian...

Euroambasadori Zhbogar vlerëson se qeveria e re ka krijuar një atmosferë të re dhe Bashkimi Europian po e vëren që njerëzit janë optimistë dhe kanë pritje të mëdha për një jetë më të mirë. Sipas tij, plani “3-6-9” i qeverisë tregon qartë prioritetet reformuese që i ka vënë vetes ekzekutivi i ri.
“Ky optimizëm që ne e shohim është për vetë faktin se kjo qeveri është zotuar se do t’i implementojë reformat të cilat kërkohen. Kjo qeveri e ka cilësuar veten si qeveri reformatore dhe për ta dëshmuar këtë aprovoi pakon për reforma “3-6-9”, për të demonstruar se janë të zotuar në procesin e reformave”,- deklaroi shefi i misionit të BE-së në RM, Samjuel Zhbogar.
Zhbogar është optimist se plani qeveritar do të realizohet sipas afateve të përcaktuara, për t’i hapur rrugë ardhmërisë euroatlantike të vendit.
“Mendoj se me këtë pako të reformave kemi një plan për atë se si do të ecim përpara, plan ky që është i lidhur ngushtë me afatizime shumë konkrete, me gjëra shumë konkrete se çka duhet të implementohet, për çka qeveria është zotuar se do t’i implementojë gjatë tre muajve të ardhshëm. Pra, mund të presim një periudhë goxha intensive në tre muajt e ardhshëm”,- tha shefi i misionit të BE-së në RM, Samjuel Zhbogar.
Zhbogar ka ripërsëritur se BE do ta ndihmojë qeverinë në realizimin e këtij plani në çfarëdo forme që do t’i kërkohet.
LUMTURIE HAJRO
