Zhbogar në Zhelinë dhe Bërvenicë, problemi me ujin në Zhelinë drejt zgjidhjes

06.07.2017 17:23

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ka vizituar fshatrat Zhelinë dhe Bërvenicë....

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ka vizituar fshatrat Zhelinë dhe Bërvenicë në Tetovë në kuadër të fushatës “BE për ty”, për të parë prej së afërmi implementimin e projekteve të financuara nga BE.

Zhbogar së bashku me kryetarin e komunës së Zhelinës, Fatmir Izairin, kanë vizituar stacionin e filtrimit në Zhelinë, përfundimi i të cilit pritet të zgjidhë problemin me furnizimin me ujë në këtë komunë. Izairi është ankuar për pengesat nga Ministria e Transportit.

“Patëm edhe një kontratë me Ministrinë e Transportit që ata të ndërtojnë aty ku komuna financon 550 mijë nga banka e investimeve dhe gjithçka në bankë është kryer. Dy herë shpallja  është anuluar, njëherë  për çështje teknike, ndërsa herën tjetër  kinse oferta ishte më e madhe nga vetë vlera që ne kishim paraparë. Këtë ndihmë e kërkova edhe nga euroambasadori, pasi që kontrata ka qenë e përbashkët Komunë - Ministri e Transportit, me mjetet e BE-së”,- deklaroi kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.

“Furnizimi i qytetarëve me ujë për pije është një nga përgjithësitë themelore që një komunë duhet të kryejë ndaj qytetarëve të vet. Ne si BE jemi të gëzuar që jemi pjesë e këtij projekti, që ju ndihmojmë me fonde në realizimin e projektit të furnizimit me ujë të rreth 40 mijë banorëve”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.

Zhbogar  gjithashtu është takuar me kryetarin e Bërvenicës, Enver Pajazitin, dhe kanë inspektuar punimet në rrugën lokale Miletino-Çellopek, e cila po rikonstruohet me grand nga BE, si dhe ndërtimin e shkollës së re fillore në Gurgurnicë. Euroambasadori Zhbogar përgëzoi komunat e vogla që me gjithë vështirësitë arrijnë të ballafaqohen me probleme të mëdha. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)