Bogovinë, arsimtarët në protestë, i kërkojnë rrogat
Të punësuarit në arsim në komunën e Bogovinës kanë protestuar...

Të punësuarit në arsim në komunën e Bogovinës kanë protestuar duke kërkuar që Këshilli Komunal të gjejë zgjidhje urgjente për emërimin e ushtruesit të detyrës së kreut të komunës, në mënyrë që të mund t’i marrin rrogat e prapambetura. Ata porositën këshilltarët të venë në rend të parë qytetarët e jo interesat e ngushta partiake. Arsimtarët në këtë komunë kanë më shumë se dy muaj pa rrogë. Probleme të tjera janë edhe ato me sigurimin shëndetësor. Të njëjtin problem e kanë rreth 500 punonjës që i marrin rrogat drejtpërdrejt nga komuna.
“Këshilltarët komunalë luajnë me jetën e 500 të punësuarve, respektivisht e dy mijë anëtarëve që jetojnë në komunën e Bogovinës. Le të vetëdijesohen liderët tanë politikë, udhëheqësit tanë dhe veçanërisht populli ynë që ç’farë këshilltarësh dhe liderësh politikë votojnë, 80% e arsimtarëve kanë kredite”,- tha një protestues - arsimtar.
“Aktualisht jemi në tre rroga minus. Të gjithë këta punëtorë në arsim tanimë i kanë të bllokuara proceset e sigurimit dhe nga xhepi i tyre paguajnë çdo ditë në mënyrë aksidentale. Unë pata rastin para dy ditësh, një mësues, punëtor i imi, 1800 euro ka paguar për koronografi në spital në Tetovë, një tjetër dje ka blerë privatisht 3800 denarë barnat që i konsumon”,- u shpreh protestues – arsimtar.
SAShK-u i apelon politikës të zgjidhë urgjentisht problemin e rrogave të arsimtarëve në këtë komunë.
“Ngërçi politik na ka shkaktuar probleme serioze neve arsimtarëve dhe administratës komunale, por dhe shkollave nga mospagesa e rrogave. Konform statusit dhe rregulloreve të SAShK-ut, marrëveshjes kolektive të inkorporuar në ligj për arsim fillor, të mesëm, universitar dhe politikës sociale, nënkuptohet se do t’i marrim të gjitha masat, si protesta, bllokim të rrugëve dhe institucioneve lokale, ndëshkime gjyqësore deri në përmbushjen e kërkesave tona legjitime dhe të pakontestueshme. Apeloj që Qeveria urgjentisht të marrë masa për zgjidhjen e situatës",- theksoi Teuta Osmani nga SASHK-u, Tetovë.
Dje Këshilli Komunal dështoi në zgjedhjen e ushtruesit të detyrës. Protestuesit vendosën t’i lënë pak hapësirë këshilltarëve të arrijnë marrëveshje, në të kundërtën paralajmëruan protesta edhe më të mëdha. (Visar Sadiki, TVM2)
