Ribalanci të premten në qeveri, ekspertët: Prioritet, investimet kapitale

06.07.2017 18:22

Ribalanci i buxhetit pritet të jetë tema kryesore e mbledhjes së qeverisë gjatë ditës së premte....

Ribalanci i buxhetit pritet të jetë tema kryesore e mbledhjes së qeverisë gjatë ditës së premte.

Kryeministri, Zoran Zaev, pret që para 2 gushtit ribalanci të kalojë. Eksperti ekonomik, Arben Halili, vlerëson se qeveria duhet të përqendrohet në shkurtimin e mjeteve të dedikuara për projekte joproduktive, ndërsa prioritet duhet të kenë investimet kapitale.

“Fokusi i qeverisë në diskutimin e ribalancit sigurisht se duhet vënë në realizimin e investimeve kapitale, detyrimisht duhet shkurtuar të gjitha shpenzimet joproduktive të parapara në buxhetin fillestar, me theks të veçantë ato të cilat janë të orientuara në projekte që nuk përbëjnë kurrfarë efikasiteti ekonomik dhe nuk janë me interes as të ekonomisë dhe as të turizmit”,- deklaroi eksperti ekonomik, Arben Halili.

Gjithashtu, sipas Halilit, qeveria interes të veçantë duhet të ketë edhe për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, ofrimin e kushteve dhe cilësisë më të mirë në arsim, si dhe kyçjes më të madhe të studentëve në praktikë. Ribalanci i buxhetit ka qenë një ndër temat kryesore për të cilat qeveria ka shprehur interesim që prej ditës së parë të formimit të saj. (Ersan Pajaziti, TVM2)