VMRO grupohet në 10 grupe parlamentare, Xhaferi: Grupi është ligjor, por ka qëllim të keq

06.07.2017 18:41

Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE e ka njoftuar kryetarin....

Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit se është organizuar në 10 grupe parlamentare. Kështu ky koalicion do të ketë 10 koordinatorë dhe dhjetëfish do të shfrytëzojë të drejtat dhe benefitet që me rregullore u mundësohen grupeve parlamentare, por dhjetëfishohen edhe mundësitë për obstruksione.

Kështu në vazhdimin e seancës së gjashtë, ku duhet të shkarkohet kryeprokurori Zvërlevski, koordinatorët e grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së vazhdimisht kërkonin procedurale dhe pauza, ndërsa për fjalimin e Avokatit të Popullit u paraqitën 35 deputetë të VMRO-së ndërsa 40 tjerë janë paraqitur për replikë.

“Do t’u kisha lutur që të marrim stenogram nga fjalimi, nuk ishte i gjatë. Prandaj kërkoj një orë pauzë”,- theksoi koordinatori i VMRO-së, Ilija Dimovski.

“Si koordinator i grupit të tretë parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kërkoj stenogram nga seanca dhe videoregjistrimi dhe gjysmë ore pauzë”,- u shpreh koordinatori i VMRO-së, Zoran Ilioski.

“Kërkoj një orë pauzë, me qëllim që pas 60 minutave Avokati i Popullit të kërkojë falje për atë që bëri”,- tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Dimitar Stevananxhija.

Kryeparlamentari Xhaferi sqaroi se një organizim të tillë e lejon rregullorja, por nuk është praktikuar deri tani dhe se VMRO duhet t’u përgjigjet qytetarëve se cili është qëllimi i një organizimi të tillë.  

“Do të fitoni gjysmë ore pauzë, nuk është problem, do fitoni edhe nga një orë pauzë. Meqë jeni 10 grupe, keni për qëllim që 10 grupe nga një orë janë 10 orë në ditë që të mos punohet. Ky është sqarim ndaj qytetarëve jo për ju”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Me me aktin e njoftimit të kryetarit të Kuvendit, se janë organizuar në 10 grupe parlamentare, deputetët e VMRO DPMNE-së e njohën Xhaferin për kryetar të Kuvendit.

LSDM: VMRO THELLON OBSTRUKSIONET NË KUVEND

Veprimi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së u dënua nga deputetët e shumicës parlamentare si përpjekje për të bllokuar punën e Kuvendit dhe procesin e reformave.

“Me bllokimin e këtillë VMRO-DPMNE vazhdon të sillet me hipokrizi, egoiste e papërgjegjshme dhe në dëm të drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve”,- theksoi koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev.

Paraprakisht, Kuvendi zgjodhi Spase Gligorovin drejtor të Agjencisë për Administratë.  Gligorov u zgjodh me 61 vota pro dhe një abstenim, pa praninë e deputetëve të opozitës. Pas kësaj, Kuvendi filloi debatin rreth Propozim-vendimit për dhënie të pajtueshmërisë së akteve të përgjithshme të Avokatit të Popullit, të cilën e elaboroi ombudsmani, Ixhet Memeti. Në kontekst të kësaj, Ixheti theksoi se Ligji i ri për Avokatin e Popullit nuk i realizon në tërësi nevojat për pavarësi financiare në këtë institucion dhe se në të nuk janë sendërtuar rekomandimet e Pribesë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)