“Legis” dhe Avokati i Popullit, kushte më të mira për emigrantët
Kushtet e këqija të emigrantëve nëpër kampe...

Kushtet e këqija të emigrantëve nëpër kampe, statusi i tyre i pazgjidhur dhe mospasja e OJQ-ve nëpër kampet për t’iu ofruar ndihmë, sidomos asaj në Gazi Babë, dhe ligji për azil, ishin temat që u diskutuan në penelin e organizuar nga OJQ “Legis” dhe Avokati i Popullit.
Ata dërguan kërkesë deri tek institucionet shtetërore, Ministria e Punëve të Brendshme, Kuvendi i Maqedonisë dhe Qeveria e Maqedonisë që të bëjnë ndryshime në Ligjin për azil, ku do të mundësohet hapja e kufijve për emigrantët.
“Që nga viti 2014 ne si organizatë kemi apeluar për gjendjen e mjerueshme të emigrantëve të paregjistruar në Maqedoni, kjo si pasojë e ndryshimeve ligjore që u bënë në vitin 2016, ku u vendos që të mbyllen kufijtë për emigrantët. Nga Qeveria e kaluar, kryesia e MPB-së dhe Kuvendi kemi kërkuar që të ndryshohet vendimi i prillit të 2016-s, mirëpo ne hasëm në vesh të shurdhër. Ne sërish apelojmë për të njëjtën kërkesë”,- deklaroi Mersiha Smailovik nga “Legis”.
Nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se ka raste kur emigrantët marrin ushqim vetëm një herë në ditë. Ata ankohen në veçanti për kampin e emigrantëve në Gazi Babë, i cili në mënyrë kategorike ka refuzuar kërkesën e OJQ-ve që të kenë qasje në hapësirën e këtij kampi.
“Hulumtimet kanë treguar se emigrantët në vazhdimësi preokupohen për ardhmërinë e tyre. Ata shpeshherë vendosen në hapësira të izoluara pa ndonjë arsye. Kjo bën që të pamundësohet kontakti me jetën reale dhe të mos kemi socializim të emigrantëve”,- tha përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Snezhana Teodosieva - Jordanoska.
Krahas ndryshimeve në ligj, ata kërkuan edhe hapje të kampeve të refugjatëve, pasi që siç edhe kanë treguar hulumtimet psikologjike, mbyllja e tyre ndikon negativisht në mirëqenien psikologjike dhe sociale të emigrantëve, veçanërisht të fëmijëve. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
