Botë

Liderët botërorë në Hamburg, G20 nën hijen e mosmarrëveshjeve dhe protestave

07.07.2017 09:32

20,000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen të specializuar, 40 makina me topa uji...

20,000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen të specializuar, 40 makina me topa uji, 3000 makina policore po e sigurojnë Samitin G20 në Hamburg, ku janë mbledhur liderët botërorë. Por, masat e shtuara të sigurisë nuk kanë penguar demonstratat e shumta në qytet.
 
Policia ka përdorur topa uji, sprej dhe shkopinj për të ndalur demonstruesit agresivë që të shkojnë drejt sallave të panairit ku sot fillon zyrtarisht Samiti i G20-ës. Rreth 1000 persona të maskuar në radhët e para ishin shumë agresivë. Ata kanë hedhur kokteje molotovi, gurë dhe gjëra të tjera në drejtim të policisë. Policia njofton për të paktën shtatë nëpunës të lënduar, për djegie të makinave dhe dëme të mëdha materiale, por nuk ka viktima në njerëz. Ka pasur edhe shumë demonstrues të lënduar, por numri i tyre i saktë nuk dihet ende.
 
Policia pohon se në protestën e madhe me titull “Mirë se vini në Ferr” kanë marrë pjesë rreth 12.000 kundërshtarë të Samitit G20 dhe globalizimit. Samiti mbahet në kohërat më të vështira në disa dekadat e fundit, për shkak të luftërave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha në botë. Vetë kancelarja, Angela Merkel, si nikoqire e takimit ka paralajmëruar se nga ky samit nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli apo ndonjë marrëveshje epokale.
 
Merkel mbrëmë është takuar edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, në përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa ndonjë sukses të madh. Me vëmendje të madhe pritet edhe takimi Trump-Putin, që do të jetë takimi i parë i tyre zyrtar pas zgjedhjes së Trumpit në postin e presidentit. Një takim shumë interesant do të jetë edhe ai Merkel – Erdogan, për shkak të dallimeve të mëdha mes pjesëmarrësve.
 
Një problem serioz për këtë samit do të jetë presidenti i paparashikueshëm amerikan, Trump, i cili ka premtuar se do ta mbështesë Samitin e G20-ës. Por, pritet që ai të vazhdojë me qëndrimet “America first”, që do të thotë se do të kërkojë masa mbrojtëse të veçanta për vendin e tij.
 
GAZMEND KURTISHI