Botë
Napoli, shembet pallati katërkatësh, 8 të zhdukur
07.07.2017 10:01
Shembja e një pallati 4-katësh në Torre Annuniziata në Napoli ka mbjellë panik në të gjithë zonën...

8 personave kanë mbetur brenda tij, dy prej të cilëve fëmijë. Rrëzimi ndodhi rreth orës 6:20 të mëngjesit për shkaqe ende të panjohura. Fqinjët nuk kanë dëgjuar ndonjë shpërthim, por vetëm zhurmën e strukturës që copëtohej. Pallati ndodhej shumë pranë linjës hekurudhore Napoli- Salerno, e cila është mbyllur për shkak të inerteve që kanë rënë mbi shina.
Dëshmitarë okularë rrëfejnë se pak përpara shembjes në zonë kishte kaluar një tren. Sipas disa raporteve, në një pjesë të pallatit mund të kenë qenë duke u kryer punime strukturuese.
“Djali më tha që dëgjoi një zhurmë të fortë. Dolëm jashtë, kishte shumë pluhur, kur ai u shpërnda e pamë saktë se çfarë kishte ndodhur. Aty brenda janë dy familje dhe një e moshuar që jetonte vetëm”,- tha një dëshmitar.
Rreth 30 punonjës të shpëtimit janë duke gërmuar edhe me duar me shpresën e gjetjes së të mbijetuarve.
Torre Annunziata ndodhet rreth 4 km larg zonës arkeologjike të Pompeit.
ARLINDA BAFTIU
