Inspektim i jashtëzakonshëm në QKU, MSh: Pastërtia në nivel jo të kënaqshëm
Mbrëmë, Klinika Universitare në Shkup...

Mbrëmë, Klinika Universitare në Shkup ka pasur një inspektim të papritur nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjendja e përgjithshme sanitare-higjienike e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë nuk është në nivel të kënaqshëm, ndërsa mbeturinat mjekësore nuk selektohen me rregull, ka treguar inspektimi. Njësoj është gjendja edhe në Klinikën për Traumatologji.
Në Qendrën urgjente të Ortopedisë dhe në Institutin për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkulozit gjendja e përgjithshme sanitare-higjienike është relativisht e mirë.
“Nuk është ashtu siç duhet, nuk është të themi shumë keq, por nuk është as mirë, duhet më shumë të punohet në këtë drejtim”,- tha një qytetare.
“Varet se në cilin spital. Pastërtia në spital nuk është në ndonjë nivel të lartë, por në përgjithësi është e mirë”,- u shpreh një qytetar.
“Sigurisht që duhet më shumë, sepse meritojmë më shumë”,- theksoi një qytetar.
“Nuk jemi të kënaqur nga higjiena nëpër spitale”,- potencoi një qytetar.
Pas inspektimit, klinikat sot kanë filluar pastrimin gjeneral dhe kjo u vërejt edhe nga kamera e TVM2.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kontrollet e tilla do të vazhdojnë në të gjitha klinikat, për të vërtetuar jo vetëm nivelet e pastërtisë në spitale, por edhe respektimin e orarit të punës, gjendjen në ambulancat e poranimit të rasteve urgjente, si dhe respektimin e Ligjit për mbrojtje nga pirja e duhanit. Gjithashtu do të pyeten edhe pacientët për marrëdhëniet etike dhe profesionale të punonjësve shëndetësorë. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
