Spanjë, gara me dema, tre të lënduar në San Fermini
Pamplona e Spanjës gëlon sërish nga njerëzit e mbledhur...

Pamplona e Spanjës gëlon sërish nga njerëzit e mbledhur nga çdo cep i botës për festivalin e famshëm të San Ferminit, por këtë herë të lënduarit nuk kanë munguar që në hapjen e tij.
Tre persona u plagosen nga demat gjatë të parit vrapim nëpër rrugët e festivalit të këtij viti. Vrapimi, që tërheq zakonisht rreth 2.000 persona, nuk zgjat veçse tre minuta.
Pjesëmarrësit e veshur me të bardha mbajnë në qafë nga një shall të kuq e përpiqen ta përshkojnë sa më shpejt distancën e 850 metrave pa u shpuar nga brirët e demave të egërsuar, por jo të gjithë ia dalin.
Demat vijnë nga ferma Cebada Gago, e njohur për egërsinë e kafshëve të saj, mbajtëse të rekordit të plagosjeve këto vitet e fundit. Që në debutimin e saj në rrugët e ngushta të Pamplonës, në 1985-n, demat e kësaj ferme në jug të vendit kanë lënduar mbi 53 persona.
