Bogov: Është herët të priten lëvizje në ekonomi

07.07.2017 17:01

Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov....

Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, thotë se është ende herët të parashikohet se si do të ndikojë në ekonomi zgjidhja e krizës politike. Ekzekutivi i ri është në hapat e parë të punës dhe në këtë periudhë të shkurtër nuk mund të priten ndryshime të mëdha, thotë Bogov. Sipas tij, është herët të parashikohet diçka në këtë periudhë dhe lëvizjet e para mund të priten pas një kohe të caktuar.

“Është shumë herët, qeveria e re sapo është formuar. Ende nuk shohim lëvizje më të dukshme në këtë drejtim. Ende nuk kemi tregues për muajin qershor që të shohim nëse ka efekte. Por, do të ishte logjike të ketë përmirësim të caktuar. Mund të them se duhet të mendohet për konsolidimin financiar në periudhën e ardhshme prej disa viteve”,- deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.

Lidhur me rebalancin e buxhetit, guvernatori nuk deshi të komentojë pasi, sipas tij, rebalanci është një çështje që i përket qeverisë. Bogov pret ndërkohë që Kuvendi të arrijë konsensus të gjerë për emërimin e zëvendësguvernatorit të ri të Bankës Popullore, më saktë për vazhdimin e mandatit të zëvendësguvernatores aktuale, Anita Angellovskës. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)