Liderët botërorë në Hamburg, G20 nën hijen e mosmarrëveshjeve dhe protestave
20,000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen të specializuar....

20,000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen të specializuar, 40 makina me topa uji, 3000 makina policore po e sigurojnë Samitin G20 në Hamburg, ku janë mbledhur liderët botërorë.
Por, masat e shtuara të sigurisë nuk kanë penguar demonstratat e shumta në qytet. Policia ka përdorur topa uji, sprej dhe shkopinj për të ndalur demonstruesit agresivë që të shkojnë drejt sallave të panairit ku sot fillon zyrtarisht Samiti i G20-ës. Rreth 1000 persona të maskuar në radhët e para ishin shumë agresivë. Ata kanë hedhur kokteje molotovi, gurë dhe gjëra të tjera në drejtim të policisë. Policia njofton për të paktën shtatë nëpunës të lënduar, për djegie të makinave dhe dëme të mëdha materiale, por nuk ka viktima në njerëz. Ka pasur edhe shumë demonstrues të lënduar, por numri i tyre i saktë nuk dihet ende.
Policia pohon se në protestën e madhe me titull “Mirë se vini në Ferr” kanë marrë pjesë rreth 12.000 kundërshtarë të Samitit G20 dhe globalizimit. Samiti mbahet në kohërat më të vështira në disa dekadat e fundit, për shkak të luftërave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha në botë.
Kancelarja Merkel kërkoi prej kryetarëve të shteteve dhe të qeverive që të bashkëpunojnë ngushtë dhe që të tregohen të gatshëm për kompromise. Ajo shpreson që takimi i nivelit të lartë do të japë një kontribut për zgjidhjen e problemeve urgjente në botë, tha Merkeli në krye të takimit.
"Ne e dimë se koha nuk pret, prandaj shpesh zgjidhjet mund të gjenden vetëm kur jemi të gatshëm për kompromise dhe afrohemi me qëndrimet e njëri-tjetrit, pa u tjetërsuar shumë. Dallimet padyshim që mund të përmenden”- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Merkel mbrëmë është takuar edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, në përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa ndonjë sukses të madh. Tashmë ka pasur edhe një moment interesant në samit, shtrëngimi për herë të parë i duarve mes presidentëve Trump dhe Putin, takimi i parë zyrtar i të cilëve ndodh pikërisht në suaza të G 20. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
