Haziri: Së shpejti vendkalimi kufitar Bellanoc – Stançiç

07.07.2017 18:03

Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiç që lidh Kumanovën me Gjilanin....

Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiç që lidh Kumanovën me Gjilanin, respektivisht Maqedoninë me Kosovën, së shpejti pritet të hapet dhe të jetë në funksion të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Këtë sot e paralajmëroi kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili qëndroi për një vizitë pune në Kumanovë, ku u prit nga homologu i tij, Zoran Damjanovski. Madje, Haziri paralajmëroi lëvizje të lirë të qytetarëve deri në zyrtarizimin e vendkalimit kufitar. 

“Janë kryer procedurat, po ashtu edhe ratifikimi i marrëveshjes, Qeveria e kryeministrit Zaev dhe Qeveria në detyrë e Kosovës ka mundësi që ta përgatisin sa më shpejt, sepse edhe ky projekt është i Komisionit Evropian. Është i financuar nga KE dhe besoj se shtatori i këtij viti është optimal për zyrtarizimin e këtij vendkalimi, sepse kanë me u vendos vetëm policia dhe dogana. Unë uroj që të bisedoj me kryetarin e Kumanovës që ta gjejmë një mënyrë që mos t’i pengojmë qytetarët, që policia të identifikojë kontrabandën, kurse qytetarët të lëvizin lirshëm deri në zyrtarizimin e vendkalimit kufitar”,- deklaroi kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Së pari respektohen protokollet diplomatike, kurse pastaj bëhen përgatitjet teknike për vendosjen e vendkalimit kufitar. Unë pres, dhe është agjendë e kryeministrit Zaev, integrim sa më të shpejt të shteteve ballkanike në Bashkimin Evropian”,- tha kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.

Gjatë takimit të dy kryetarëve të komunave u bisedua edhe për shfrytëzimin e IPARD projekteve në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar. Si rast konkret u përmend rikonstruimi i tregjeve të gjelbra përmes këtyre fondeve. (Nexhat Aqifi, TVM2)