Qeveria miratoi rebalancin e buxhetit, Zaev: Shkurtuam harxhimet joproduktive

07.07.2017 19:18

Qeveria ka miratuar propozimin për rebalancin e buxhetit...

Qeveria ka miratuar propozimin për rebalancin e buxhetit, të cilin e ka dorëzuar në Kuvend. Kryeministri Zaev tha se qëllimi kryesor i qeverisë me të cilën drejton është të krijohet rebalanc i cili në mënyrë më të mirë do t’i përafronte dallimet mes projeksioneve dhe të realizuarës.

Bazë kryesore gjatë projektimit të rebalancit të ri të buxhetit është shkurtimi i shpenzimeve joproduktive, ndërsa theksoi se është paraparë që më shumë të shkurtohet buxheti i qeverisë dhe kryeministrit. 

“Instrumenti kyç të cilin e kemi aplikuar ishte t’i shkurtojmë shpenzimet joproduktive, me çka kemi arritur kursim të konsiderueshëm të mjeteve financiare, të cilat do të jenë të dedikuara për qytetarët e këtij vendi. Është paraparë ulje e shpenzimeve joproduktive të qeverisë dhe institucioneve të saj, siç janë udhëtimet zyrtare, reprezentacionet, promocionet ekonomike dhe reklamat, në këtë drejtim shpenzimet janë zvogëluar për 10%, ndërsa shkurtim më i madh është bërë në buxhetin e kryeministrit”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Me këtë rebalanc janë siguruar 9 milion euro për masa aktive për punësimin e të rinjve, ndërsa kanë parashikuar edhe subvencione për rritje të pagës minimale në 12 000 denarë dhe kompensim mujor për punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara.

“Me rebalancin e buxhetit janë siguruar mjete për subvencionimin e pagës minimale me qëllim që ajo të jetë 12 000 denarë, edhe atë duke filluar nga 1 shtatori. Me këtë masë do të jenë të përfshirë rreth 17 000 të punësuar. Me rebalancin e buxhetit gjithashtu përfundimisht do të zgjidhet edhe problemi i punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara. Me këtë masë do të jenë të përfshirë rreth 3000 persona dhe familjet e tyre të cilët do të kenë të drejtën e kompensimit mujor”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Kompanitë vendore pas miratimit të rebalancit do të kenë qasje të njëjtë si investimet e huaja, tha Zaev, duke paralajmëruar edhe projekte të reja të financuara nga fondet IPA, si dhe zgjidhje të problemit të bujqve.

Të hyrat nga tatimet janë projektuar në shkallë më të vogël, me qëllim që të jenë të projektuara në baza reale. Përmes këtij rebalanci planifikohet rritje ekonomike në 2,2%, deficiti buxhetor është i projektuar të jetë në 2,9% nga BPV. (Ersan Pajaziti, TVM2)