Kosovë, KQZ-ja certifikon rezultatet e zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit...

Koalicioni PAN ka fituar 33.74 për qind të votave ose 39 vende në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosja është e dyta me 27.49 për qind ose 32 vende dhe koalicioni LAA është i treti me 25.53 për qind ose 29 ulëse në Kuvend.
Rezultatet i ka bërë të ditur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media.
Ajo kërkoi mirëkuptim për vonesën për përmbylljen e këtij procesi, por tha se procedurat janë çështje ligjore. Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht është kandidati më i votuar për kryeministër pasuar nga kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA Avdullah Hoti.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i cili ishte kandidat për deputetë nga radhët e Vetëvendosjes ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit dhe do të vazhdojë të jetë në krye të Prishtinës edhe për disa muaj, ku më pas do të rikandidojë për postin që e mban tani.
Shtyrja e deritanishme e certifikimit të rezultateve ishte bërë për shkak të rinumërimit të votave të subjekteve politike. Me certifikimin e rezultateve i hapet rruga konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës.
