MAQEDONI

Në SH. F. “Vëllazërimi” ende nuk u kthye tabela shqipe

05.06.2014 16:34

Shkolla fillore “Vëllazërimi” në lagjen Karposh të Shkupit, vazhdon të jetë pa tabelën në gjuhën shqipe...

Shkolla fillore “Vëllazërimi” në lagjen Karposh të Shkupit, vazhdon të jetë pa tabelën në gjuhën shqipe. Edhe pse ka kaluar një javë nga  premtimi i drejtoreshës së shkollës se tabela e dëmtuar në gjuhën shqipe do të zëvendësohet, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.
 
Drejtoresha e shkollës, Sonja Siljanovska, e cila javë më parë premtoi se tabela e re po përpunohet nga firma përgjegjëse për këtë punë, sot pranoi se një gjë e tillë akoma nuk është bërë, por për shkaqe objektive.
 
Sipas saj, kompania që punon tabelat ka pasur probleme me reshjet e shiut, të cilat kanë hyrë brenda objektit të saj dhe kjo ka shkaktuar vonesën në përfundimin e shkronjave për tabelën në gjuhën shqipe të shkollës “Vëllazërimi”. 
 
Një javë më parë, TVM-2 publikoi fotografi në të cilat  shihet qartë se në hyrje të objektit të shkollës ekzistojnë të dy tabelat, njëra në gjuhën maqedonase dhe një tjetër tabelë boshe, në të cilën kishin rënë pothuajse të gjitha shkronjat në gjuhën shqipe.
 
Fjalët e vetme që vazhdojnë të qëndrojnë në këtë tabelë janë Bratstvo dhe Karposh. Drejtoresha Silianovska atëherë tha se shkronjat kanë rënë për shkak të vjetërsisë së tabelës edhe pse të dyja tabelat në hyrje të kësaj shkolle janë vënë në të njëjtën kohë. 
 
REXHEP QAMILI