MAQEDONI

Vazhdon testimi ekstern

05.06.2014 16:36

Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore edhe gjatë ditës së sotme ka kaluar nën hijen e gabimeve...

Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore edhe gjatë ditës së sotme ka kaluar nën hijen e gabimeve të shumta gjuhësore dhe përmbajtësore, shumë pyetje kanë qenë të pakuptueshme, disa nga to nuk kanë pasur lidhshmëri me temat e trajtuara, ka pasur edhe raste të tilla kur pyetjet nuk janë përkthyer fare.
 
Ndër vërejtjet kryesore në shkollën fillore “Adem Jashari” është koha e pamjaftueshme për llogaritjen e detyrave nga lënda e matematikës.
 
“30 pyetje për 60 minuta nuk zgjidhen, ka detyra të rënda që duhet për 10 minuta të zgjidhen, për këto pyetje janë në dispozicion 10 minuta, prej tyre ka 3 apo 4 pyetje të lehta, të tjerat duhet llogaritur”, deklaroi arsimtari Xhevdet Hoxha.
 
Ankesa do të parashtrohen deri te Qendra Shtetërore e Provimeve për të gjitha vërejtjet e evidentuara, po gëzon fakti që këtë vit në këtë shkollë nuk ka pasur pengesa të natyrës teknike.
 
“Ankesat do të parashtrohen me shkrim vetëm sa të merret rezultati, do t’i paraqesim deri te Komisioni Testues dhe ata do të na japin përgjigje”, theksoi drejtori i sh. f. “Adem Jashari”, Halil Palloshi.
 
“Këtë vit nuk ka pasur pengesa teknike dhe falënderoj MASH-in dhe Ministrinë e Informatikës për përkrahjen e dhënë”, potencoi  arsimtari Bujar Hamiti.
 
Nxënësit ankohen për paqartësi në shumë pyetje dhe paralajmërojnë se do të parashtrojnë ankesa.
 
“Ka pas pyetje të rënda, të cilat kanë qenë për 60 minuta 30 pyetje”, u shpreh një nxënës.
 
“Te çdo nxënës ka pasur stres, materiali është i vështirë, ka pasur pyetje që nuk janë përfshirë në material”, tha një tjetër nxënës.
 
“Disa pyetje nuk kanë qenë të përkthyera mirë, ka pasur përgjigje të pasakta”, theksoi një nxënëse.
 
Nga MASH-i disa herë kanë përsëritur se nëse do të konstatohen  pyetjet që kanë pasur  gabime, apo lëshime teknike, do të minusohen  nga numri i përgjithshëm i pyetjeve, që të mos ndikojnë negativisht te nxënësit.
 
FLUTURA LATIFI