Maqedoni

Osmani: Me maqedonët vetëm të barabartë; Ahmeti: Barabarsia na bën më të fortë

09.07.2017 17:08

Sot pas plotë 20 vitesh, qytetarët e Gostivarit përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut të vitit 1997...

Sot pas plotë 20 vitesh, qytetarët e Gostivarit përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut të vitit 1997, ku u mblodhën përpara godinës komunale për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës ndaj popullatës shqiptare nga forcat policore të Maqedonisë.  
 
Në këto ngjarje tragjike në mbrojtje të flamurit ranë tre dëshmorë, Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, dhe u keqtrajtuan me qindra dhe mijëra qytetarë të Gostivarit.
 
Në mëngjesin e hershëm të datës 9 korrik të vitit 1997 burgoset edhe ish-kryetari i Komunës së Gostivarit Rufi Osmani si dhe kryesuesi i këshillit të atëhershëm Refik Dauti.
 
“Maqedoninë e nënkoptojm si shtetë të partnerëve të barabart. Ne me maqedonët pranojm të jetojm vetëm si partner si orëtak e jo si shërbëtor”, shprehet ish-kryetari i komunës së Gostivarit", Rufi Osmani.
 
Në 20 vjetorin e ngjarjeve të Gostivarit, një delegacion i Komunës së Gostivarit i udhëhequr nga Kryetari, Nevzat Bejta bënë homazhe në vendprehjet e dëshmorëve të 9 Korrikut.
 
Kryetari I Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta ka thën se Gostivari dhe tokat shqiptare janë pjesë e kontinentit të Evropës dhe nuk do të lejmë më që të përsëriten tragjeditë tek pjesëtarët e shoqërisë shqiptare.
 
Lideri i BDI-së , Ali Ahmeti ka përkujtuar ngjarjet e Gostivarit të 9 korrikut të vitit 1997 duke thënë se barabarësia nuk mund të jetë kundërshtuese për të drejtat e tjetrit, por përkundrazi, na bën edhe më të fortë bashkë dhe e bën shoqërinë më të qëndrueshme.
 
“Edhe pas dy dekadash, ngjarjet tmerruese në Gostivar më 9 korrik 1997 na përkujtojnë brutalitetin shtetëror ndaj shqiptarëve të cilët po kërkonin të drejta themelore, flamur, arsim, gjuhë, barabarësi. Barabarësia nuk mund të jetë kundërshtuese për të drejtat e tjetrit, por përkundrazi, na bënë më të fortë bashkë dhe e bën shoqërinë më të qëndrueshme” ka shkruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Në një komunikat me shkrim nga  Rilindja Demokratike Kombëtare thuhet se “ Fatkeqësisht, amaneti i dëshmorëve të 9 korrikut dhe shumë dëshmorëve tjerë vazhdon të ngelë i parealizuar, dhe kërkohet një angazhim dhe sakrificë sublime e gjeneratës së re për të realizuar këtë amanet, sidomos tani kur bëhet fjalë për një krizë më të thellë shoqërore dhe politike”. 
 
Nga RDK thonë se ky 20 vjetor duhet të jetë frymëzim shtesë i kësaj gjenerate, për realizimin e amanetit të të gjithë dëshmorëve të kombit në përgjithësi. 
 
SANIJE DURAKU