MAQEDONI
MPB promovoi njësitin për rend, qetësi dhe intervenime
05.06.2014 16:41
Për rendin dhe qetësinë publike në vend, tani e tutje do të kujdeset njësiti i ri policor...

Për rendin dhe qetësinë publike në vend, tani e tutje do të kujdeset njësiti i ri policor për rend, qetësi dhe intervenime, i cili përbëhet prej 207 pjesëtarësh.
Gjatë promovimit ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, sqaroi se ky njësit do të kujdeset për rendin dhe qetësinë gjatë tubimeve publike dhe manifestimeve të ndryshme, ndërsa detyrë parësore do të ketë ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Njësiti për rend, qetësi dhe për intervenim do të kujdeset rreth ruajtjes së qetësisë dhe rendit publik, tubimeve publike të të gjitha llojeve, duke filluar nga manifestimet sportive dhe kulturore, tubimet e paralajmëruara dhe të paparalajmëruara të qytetarëve dhe forma tjera të pakënaqësisë të shprehura nëpërmjet tubimeve publike të organizuara dhe të paorganizuara”, deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Jankullovska po ashtu sqaroi se ky njësit do të ketë detyra edhe në punët e rregullta policore, në parim territorial me mbulim të rajoneve rurale në stacionet policore, me obligime të përgjithshme pranë sektorit të Punëve të Brendshme në Shkup, si dhe në zonat urbane me shërbime patrulluese motorike dhe patrullime këmbësorike.
Njësiti mes tjerash do të reagojë edhe në pengimin e kryerjes së veprave penale me elemente të dhunës, si dhe në arrestimin e delinkuentëve të rrezikshëm.
GULTENE SINANI
