“Lagja e trimave”, anulohet seanca
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore u anulua seanca gjyqësore...

Me kërkesë të Prokurorisë Themelore u anulua seanca gjyqësore për rastin “Lagja e Trimave”, ku duhej të prezantohen fjalët përmbyllëse të Prokurorisë.
Seanca u anulua me arsyetimin se Prokuroria nuk është e përgatitur për të dhënë fjalën e saj përmbyllëse.
Ndërsa sipas palës mbrojtëse, arsyeja e vërtetë e anulimit është akt-akuza e gabuar e ngritur nga Prokuroria e që nuk mund të dëshmohet deri në fund.
“Seanca gjyqësore për fjalët përfunduese të Prokurorisë u anulua me arsyetimin se Prokuroria nuk është e përgatitur për fjalët përfunduese. Unë mendoj se kjo mospërgatitje e tyre bazohet në atë se kanë gabuar me akt-akuzën për këtë lëndë”,- deklaroi avokati i Mbrojtës, Naser Raufi.
Pala mbrojtëse shpreson në transparencën dhe veprimin e drejtë të gjykatës edhe në të ardhmen. Sipas avokatëve, ashtu si për Prokurorinë edhe palës mbrojtëse, do t’i jepet kohë e njëjtë për ta dhënë fjalën përfundimtare për rastin.
“Shihet që akoma nuk janë përgatitur dhe kanë nevojë për kohë shtesë, do ta determinojnë edhe dinamikën dhe përmbajtjen e fjalës përfundimtare edhe të mbrojtës. Ashtu që ne presim si palë mbrojtëse që gjykata të na lejojë kohë të barabartë me Prokurorinë që të mund edhe ne të jemi në përputhje me fjalën përfundimtare”,- u shpreh avokati mbrojtës, Ibraim Bajrami.
Në rastin “Lagja e Trimave” akuzohen 37 persona për veprën penale “terrorizëm”, pasi ata u arrestuan pas përleshjes së armatosur më 9 dhe 10 maj në Kumanovë. Seancat e radhës për këtë rast do të mbahen më 20, 28 dhe 31 korrik të këtij muaji, ndërsa 7 seanca të tjera janë caktuar edhe për muajin shtator. (Rexhep Qamili, TVM2)
