Futboll

Shqipëria humb edhe Hungaria

05.06.2014 16:47

Pas humbjes me Rumaninë, Shqipëria e Gianni De Biasi-t është mundur edhe nga Hungaria me rezultatin 1-0...

Pas humbjes me Rumaninë, Shqipëria e Gianni De Biasi-t është mundur edhe nga Hungaria me rezultatin 1-0, duke regjistruar humbjen e dytë brenda vetëm 4 ditëve.  Edhe kësaj here, kuqezinjtë u ndëshkuan në minutat e fundit, duke i dhuruar kundërshtarit një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Priskin.

Hungaria fitoi me këtë gol dhe thelloi akoma më shumë rekordet në përballjet direkte me përfaqësuesen shqiptare, 5 fitore, 1 barazim dhe asnjë humbje. Edhe loja ndaj Hungarisë, tregoi se kuqezinjtë janë larg asaj çfarë synon trajneri dhe stafi i tij.

Eksperimentet që trajneri italian bëri me skuadrën në këtë miqësore, nuk lanë shije të mirë te tifozët, të cilët janë në pritje të një ekipi, që këtë herë në eliminatoret e Euro 2016 të bëjë ëndrrën realitet. Miqësorja e radhës e kombëtares shqiptare do të jetë pas katër ditësh, ajo kundër San Marinos, e cila do të luhet në stadiumin Serravalle, të këtij qytet-shteti të vogël.