Botë

Shqipëria - front i ri i naftës, Rama fton sipërmarrësit turq të investojnë

10.07.2017 16:18

Shqipëria aspiron të shndërrohet në një front të ri të naftës në botë...

Ambicia e Ramës është bërë me dije gjatë Kongresit Botëror të Naftës që po zhvillohet në Stamboll, ku kryeministri dha garanci se Shqipëria ka rezerva të mëdha të pashfrytëzuara.
 
Rama: “Ne jemi në një prej fushave të naftës më të mëdha of shore në Europë, me 220 milionë fuçi nafte të vërtetuara në rezerva. Kemi një rritje të prodhimit të naftës, të blloqeve, gjithashtu të kapacitetit të rafinimit. Jemi të inkurajuar nga prania e Shell-it dhe nga zbulimi i një burimi gazi në Shqipëri. Strategjia jonë përqendrohet në përfundimin me sukses të TAP-it, ne do të jemi një mbështetje për BE-në dhe do të zgjasim nëpërmjet degës adriatiko-joniane një degë të dytë Shqipëri-Kosovë-Serbi. A mund të bëhet Shqipëria një front i ri i naftës? Kemi çdo mundësi, kemi rezerva nafte dhe gazi të pashfrytëzuara që mund të na bëjnë potencialisht një front të ri nafte, milje larg nxehtësisë së Lindjes së Mesme”- tha Rama.
 
Rama tha se Shqipëria po punon gjithashtu për integrimin në tregun rajonal dhe atë europian në sektorin e energjisë.
 
“Qeveria jonë e konsideron sektorin energjetik si sektor strategjik dhe fokusi kryesor është rritja e furnizimit për konsumatorët shqiptarë dhe vijimi i përparimit drejt integrimit të tregut energjetik shqiptar, atij rajonal në Ballkan dhe më tej në Evropë”,- u shpreh Rama. 
 
Një ditë më parë, pas takimit me presidentin, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri tha se shumë shpejt Shqipëria do të ndërtojë aeroportin e Vlorës dhe linjën ajrore shqiptare me asistencën logjistike e teknike të “Turkish Airlines”.
 
LULJETA NDOKA