Ekonomi

OEM kërkon të hiqet Ligji për shitjen e alkoolit pas orës 21

10.07.2017 16:49

Oda Ekonomike kërkon që të hiqet Ligji për ndalesë të shitjes së alkoolit pas orës 21...

Sipas Odes, prej kur është miratuar ky ligj para 9 vitesh, nuk ka treguar rezultat të duhur, por përkundrazi, ka shkaktuar dëm më të madh, veçanërisht në mesin e konsumatorëve, në industrinë vendase dhe shtetin.
 
Sipas drejtoreshës operative të OEM-së, Elena Milevska – Shtrbevska, kufizimi i shitjes së pijeve alkoolike  në treg e ka stimuluar prodhimin dhe tregtimin në “të zezë”, gjë që ka sjellë dëme tek konsumatorët, për shkak se nuk ka kontroll të kualitetit. 
 
“Zbatimi i ndalesës për shitje të alkoolit pas orës 19, përkatësisht 21, u bë me qëllim që të ulet konsumimi i alkoolit, sidomos tek te rinjtë. Por, përkundrazi, në hulumtimin e fundit të Institutit për Shëndetësi, të publikuar para një viti, u konstatua se konsumimi nuk është vetëm një dukuri tek të moshuarit, por edhe tek të rinjtë, numri i të cilëve nga dita në ditë bëhet më e madhe. Nga kjo vërehet se masë e vetme efikase për uljen e qasjes së të rinjve te alkooli është zbatimi rigoroz i dispozitave ligjore, që ndalon shitjen dhe shërbimin e alkoolit për personat nën moshën 18 vjeçare, e jo ndalimi i saj për të gjithë”,- deklaroi drejtoresha operative në OEM, Elena Milevka - Shtrbevska.
 
Oda kërkon edhe heqjen e tarifës prej 0.05 për qind për të vazhduar licencën për të shitur alkool nga tregtarët me më shumë se tre shitore, sepse me taksa kjo kategori e tregtarëve janë në pozitë të pabarabartë në krahasim me subjektet tjera të tregut.
 
Këto kërkesa Oda Ekonomike do t’i dorëzojë në Ministrinë e Ekonomisë. 
 
ERSAN PAJAZITI