Maqedoni
Kuvend, VMRO vazhdon me pauzat; Xhaferi: për çdo orë pauzë, do të punojmë pas 18h
10.07.2017 18:01
Koordinatorët e grupeve parlamentare të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhduan edhe sot...

Koordinatorët e grupeve parlamentare të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE vazhduan edhe sot me kërkesat për pauza të njëpasnjëshme, me arsyetimin se në të njëjtën kohë po zhvillohet edhe seanca plenare edhe seanca e komisioneve të ndryshme.
“Me një fjalë, janë pika dhe tema shumë aktuale dhe të rëndësishme, ku një pjesë e madhe e deputetëve duan të marrin pjesë. Unë kërkoj një orë pauzë",- u shpreh Zoran Ilioski nga Grupi parlamentar 3.
“Kërkoj pauzë në emër të partisë ku jam koordinator, ajo të cilën e lexuat para disa ditë, dhe ai është grupi i shtatë i deputetëve”,- tha Dimitar Stevananxhija nga Grupi parlamentar 7.
Mirëpo kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se nuk dëshiron të paragjykojë veprimin politik të VMRO-DPMNE-së, por njoftoi koordinatorët se seanca do të vazhdohet edhe pas orës gjashtë për aq kohë sa është kërkuar pauzë.
“Nëse vazhdohet kështu, unë nuk dua të komentoj, për qëllimin pasi nuk dua të paragjykoj nëse keni qëllim ose jo, atë le ta gjykojnë ata që na ndjekin. Por, po ju njoftoj, për çdo orë që kërkohet pauzë për aq do të vazhdohet puna pas orës 18”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ndryshe, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE është organizuar në 10 grupe parlamentare. Kuvendi, në disa vazhdime, diskuton propozim vendimin për dhënie të pajtueshmërisë për akte të përgjithshme të Avokatit të Popullit.
Pas miratimit të kësaj pike, kuvendi do të fillojë debatin rreth propozimit të qeverisë për shkarkimin e kryeprokurori, Marko Zvërlevski.
SHPËTIM NUREDINI
