Maqedoni

Zhbogar për marrëveshjen Shkup-Sofje: bashkëpunimi me fqinjët lehtëson integrimet

10.07.2017 19:17

Lidhur me marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë për tejkalimin e problemeve të së kaluarës historike mes dy shteteve...

Lidhur me marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë për tejkalimin e problemeve të së kaluarës historike mes dy shteteve si dhe me reagimin e ish-presidentit bullgar se marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim dypalësh midis Maqedonisë dhe Bullgarisë të nënshkruhet ashtu siç është paralajmëruar, shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, ka deklaruar se të gjitha vendet nevojitet që t’i zgjidhin çështjet bilaterale me fqinjët dhe me vendet anëtare të BE-së në rajon.

“Asnjëherë nuk do të gaboni nëse investoni në miqësi me fqinjët. Duhet që të keni një rreth miqsh rreth jush. Hapat e parë janë me të vërtetë inkurajues. Ne nuk jemi inkuadruar në marrëveshje, por shpresoj se do të finalizohet dhe nënshkruhet në gusht. Kjo do të tregojë vendosmëri të vetë Qeverisë që sërish të ndërtojë këtë rreth të miqve me fqinjët”,- ka deklaruar euroambasadori Zhbogar.  

Zhbogar tha se që t’i përgjigjet kësaj pyetje duhet që të kujtojë formimin e vet BE-së pas Luftës së Dytë Botërore, thelbi i së cilës është ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Ai theksoi se me ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët që janë pjesë e BE-së vendi do të ketë miq që fuqishëm do ta shtyjnë eurointegrimin.

Sipas tij, nëse marrëveshja nënshkruhet dhe mbahet debat në Kuvend, i cili do të përfundojë me vendim për ratifikimin e tij në disa nga muajt e ardhshëm, kjo do të jetë shumë inkurajuese për vendin.