Botë

Në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, BE me projekte konkrete do ta ndihmojë rajonin

10.07.2017 21:28

Me investime dhe projekte konkrete, Bashkimi Europian pritet të garantojë perspektivën europiane...

Me investime dhe projekte konkrete, Bashkimi Europian pritet të garantojë perspektivën europiane dhe bashkëpunim ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
Detajet pritet të zbulohen të mërkurën në Triestë, në Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohet në kuadër të procesit të Berlinit.
 
Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, paralajmëroi angazhim të fuqishëm të BE-së në rajon.
 
“Rezultati parësor që e presim nga samiti këtë javë duhet të jetë fillimisht angazhim i fuqishëm dhe konkret i BE-së për të ardhmen europiane të rajonit përmes 7 projekteve të përbashkëta, me vlerë prej 200 milion eurosh. Nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Komunitetit të Transportit presim rritje të bashkëpunimit rajonal ekonomik dhe integrim, duke adoptuar plan shumëvjeçar për sferën ekonomike rajonale të Ballkanit Perëndimor. BE planifikon që deri në vitin 2020 të ndajë 1.3 bilion për projekte në energji, transport dhe ambient jetësor në rajon”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Forcimi i demokracisë, stabiliteti socio-ekonomik dhe lufta kundër dukurive negative do të jenë prioritet, tha ambasadori i Italisë, Karlo Romeo.
 
“Prioritet do të jetë konsolidimi i demokracisë, stabiliteti social, ekonomik dhe i sigurisë, tejkalimi i ndarjeve të së kaluarës dhe retorikës nacionaliste, në kontekst të tejkalimit të sfidave: siguria, lufta kundër terrorizmit, radikalizimi, migrimi dhe korrupsioni. Nga pikëpamja ekonomike, përforcimi i rrjetit aktual dhe lidhja me rrjetin evropian në energji, rritje dhe zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacione, investime në hapësirën rajonale ekonomike”,- tha ambasadori i Italisë, Karlo Romeo.
 
Në Triestë pritet të marrin pjesë delegacione të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrat e 7 vendeve të BE-së, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së, midis të cilëve komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Johanes Han, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, dhe komisionerja për transport, Violeta Bulc. 
 
NAIM RAMADANI